Nesër takimi i paralajmëruar Gruevski-Ahmeti për qeverinë e re

Maqedoni- Kryetari i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti nesër pritet të zhvillojnë një takim të përbashkët lidhur me formimin e Qeverisë së re.Dy liderët e partive që fituan në zgjedhjet e 27 prillit pritet të zhvillojnë takimin vendimtar rreth mundësisë për të tejkaluar dallimet midis tyre rreth formimit të koalicionit qeverisës.Takimi është informuar nga disa media, por nuk është konfirmuar nga dy partitë. Jozyrtarisht mësohet se dy partitë kanë dallime midis tyre, pasi VMRO-DPMNE kërkon që BDI të njoh si legjitim presidentin e zgjedhur të vendit Gjorgje Ivanov si dhe çështje të tjera që konsiderohen si kushtëzime, por që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.Nga ana tjetër, BDI është akoma në qëndrimet e saj për të mos njohur presidentin Ivanov ashtu siç kishte promovuar gjatë fushatës së zgjedhjeve, ndërsa kërkon postin e kryetarit të Parlamentit si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.