Aleksandar Vuçiç kryeministri i ri konservator serb

Beograd – Parlamenti serb miratoi, me një maxhorancë të gjerë, qeverinë e re konservatore të kryeministrit Aleksandar Vuçiç, ku objektivat kryesore janë rimëkëmbja e ekonomisë dhe afrimi me BE-në.

Më poshtë vijon portreti politik i kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç:

Në qeverinë e mëparshme, Aleksandar Vuçiç mbajti postin e zëvendëskryeministrit të parë, i ngarkuar me Mbrojtjen, Sigurinë dhe Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit që nga shtatori i vitit 2013.

Gjatë së njëjtës periudhë, ai mbante edhe postin e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të vendit. Para kësaj ai mbante postin e ministrit të Mbrojtjes dhe të zëvendëskryeministrit, përgjegjës për Mbrojtjen, Sigurinë dhe Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit gjatë periudhës korrik 2012 deri në riformatimin e qeverisë.

Vuçiç u lind në Beograd, më 5 mars 1970 dhe u diplomua për Jurisprudencë në Universitetin e Beogradit si një nga studentët më të mirë të brezit të tij.

Në vitin 1992, ai iu bashkua Partisë Radikale Serbe (SRS) dhe shumë shpejt u bë deputet i parlamentit serb.

Në vitin 1994 ai u bë sekretar i përgjithshëm i kësaj partie. Në periudhën para fushatës ajrore të NATO-s, në vitin 1998, Vuçiç ishte ministër i Informacionit në qeverinë e unitetit kombëtar.

Ai u zgjodh deputet i Republikës Fdederative të Jugosllavisë në tri raste, shkurt 1998, maj 2000 si edhe në shtator 2000. Si një nga themeluesit e Partisë Progresive Serbe (SNS) në vitin 2008, ai u zgjodh fillimisht zëvendëspresident i saj dhe në qershor 2012, pasi SNS-ja fitoi zgjedhjet dhe Tomislav Nikoliç u zgjodh president i vendit, Vuçiç u bë kryetari në detyrë SNS-së.

Gjatë zgjedhjeve të parakohshme në asamblenë e partisë, shtator 2012, Vuçiç u zgjodh unanimisht lider i SNS-së.

/ata/oranewsonline/