Greqia e Pashkëve të varfëra

Gjykime, vuajtje e ringjallje: kjo është shpresa e popullit grek, një nga popujt që tradicionalisht e ka festuar më së miri këtë festë, pavarësisht ekonomisë së dobët pas 6 vitesh në recesion. Kishat në të gjithë vendin, në këtë ditë, marrin një simbolikë të veçantë për miliona qytetarë që ende luftojnë me papunësinë e me ekonominë e dobët, të cilët vuajnë ende masat e kursimit, qysh prej vitit 2010, kur vendi shkoi prag falimentimit.Por duket se festa e pashkëve, grekëve i rikthen shpresën, ndaj dhe ata festojnë, me kostumet apo edhe traditat e tyre mijëra vjeçare, duke u shndërruar në një nga vendet ku pashkët festohen më bukur.Grekët i mbeten besnikë të gjithë ritualit të javës së shenjtë, duke ndjekur me përpikmëri çdo hap, hidhërohen për mundimet e krishtit e gëzohen të dielën për ringjalljen e tij. Rajone të ndryshme të Greqisë, kanë zakonet dhe traditat e tyre unike. E madje, shumë prej tyre shndërrohen në këtë periudhë edhe në destinacione të preferuara turistike si ishujt e Korfuzit, Skiathos, Patmos e Chios.Ishulli i Skiathos, shenjtorit të literaturës greke e romancierit të famshëm, është përvojë unike shpirtërore, ku vizitorët duhet të ngjiten fillimisht në manastirin e malit Athos e të ndjekin më pas ritualin. Festimet për pashkët nuk duhen humbur as në Korfuz, ku ritet fetare mjaft interesante zgjasin plot 1 javë. Ndërsa në meshën e të shtunës në mbrëmje, mijëra qytetarë në rrugë, dritare apo ballkone, mbajnë në duar mijëra qirinj, për të festuar në mesnatë ringjalljen e krishtit, me daulle e fishekzjarre.E pavarësisht se nën hijen e krizës, me papunësinë në nivel të lartë, pesimizmin dhe pasigurinë për të ardhmen,të cilat kanë bërë që fuqia konsumatore të zvogëlohet, sërish kudo ndihet atmosfera festive, ku gjithcka sillet rreth tavolinës, e cila shtrohet për të gjithë familjen. Bollëku i dikurshëm i Pashkëve mbetet thjesht në kujtesë por festa ndihet në çdo shtëpi.