Zëvendëspresidenti amerikan Biden letër Thaçit: Miratoni Gjykatën Speciale
Ndërsa klasa politike në Kosovë vazhdon të jetë ende në mëdyshje lidhur me themelimin e gjykatës speciale për gjykimin e krimeve të luftës, Shtetet e Bashkuara apelojnë ta mbështesin.Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, i ka shkruar letër kryeministrit, Hashim Thaçi, ku thekson se SHBA inkurajon fuqimisht Kosovën që të bashkëpunojë plotësisht me BE-në për themelimin dhe vënien në veprim të kësaj gjykate."SHBA-të i marrin shumë seriozisht këto pretendime për vepra kriminale. Ne besojmë se është e rëndësishme që atyre t"iu përgjigjeni në mënyrë adekuate me qëllim që të siguroheni që drejtësia të vihet në vend dhe Kosova të vazhdojë të ecë drejt integrimeve evropiane. Ashtu siç jeni në dijeni, BE-ja ka propozuar themelimin e një gjykate e cila do të merret me ndonjë aktakuzë e cila mund të rezultojë nga hetimet e udhëhequra nga BE-ja. Kjo gjykatë do të kërkojë një mori marrëveshjesh speciale dhe masa mbrojtëse, ashtu siç është parashtruar nga BE-ja, duke përfshirë gjykatësit ndërkombëtar, një gjykatë brenda dhe jashtë Kosovës dhe mekanizma tjerë mbrojtës për ruajtjen e të dhënave të ndjeshme. Ne fuqimisht inkurajojmë Kosovën që të bashkëpunojë plotësisht me BE-në për themelimin dhe vënien në veprim të kësaj gjykate".Biden nënvizon se me përkrahjen e Kosovës, hetimet e BE-së dhe gjykata e propozuar mund të ndihmojë për hapjen e një faqe te re, duke i mbajt përgjegjës keqbërësit dhe duke i shfajësuar në sytë e botes ata qe janë të pafajshëm.“Në frymën e kësaj miqësie të qëndrueshme, unë po të shkruaj për të theksuar rëndësinë e punës së BE-së, të ekipit të udhëhequr nga Ambasadori Clint Williamson, për të hetuar pretendimet e Raportit të Martit të Këshillit të Evropës të vitit 2010.Jam i vetëdijshëm se hetimet kanë të bëjnë me çështje të ndjeshme që për disa është vështirë për tu ballafaquar. Me përkrahjen e Kosovës, hetimet e BE-së dhe gjykata e propozuar mund të ndihmojë për hapjen e një faqe te re, duke i mbajt përgjegjës keqbërësit dhe duke i shfajësuar në sytë e botes ata qe janë të pafajshëm. Presidenti Obama dhe unë e çmojmë udhëheqjen tuaj në këtë çështje .Ne jemi thellësisht të përkushtuar për suksesin e Kosovës. Ju duhet të jeni të sigurt për përkrahjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe aspiratat euro-atlantike” shkruan më tej në Biden në letrën dërguar Thaçit.Në përfundim të letrës, Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, vlerëson progresin e bërë në Kosovë, duke garantuar se SHBA do të vazhdojë të jetë në krah të tyre."Ndjehem mirë për progresin e Kosovës në këtë periudhë të fundit sidomos lidhur me punën e vazhdueshme me Serbinë, për zbatimin e marrëveshjes së prillit 2013. Vendi juaj ka arritur shumë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. SHBA-të janë krenare që kanë qenë miku dhe partneri i Kosovës në kohët e vështira dhe ne do të vazhdojmë të jemi përkrah jush.