Maqedonia sot në zgjedhje, procesi vijon i qetë

Shkup- Në Maqedoni sot mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në konferencën e orës 14:00  ka bërë të ditur se deri në orën 13:00,  dalja e votuesve në zgjedhje ka qenë  30.93 për qind për zgjedhjet parlamentare, kurse 27.05 për qind në zgjedhjet për president.Nënkryetari i Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve, Suhbi Jakupi, në një lidhje telefonike për Ora Live, tha se pjesëmarrja edhe në këto zgjedhje të dyfishta, ka qënë relativisht e ulët.Sipas tij, deri rreth orës 11:00, kanë votuar rreth 15% e popullsisë me te drejtë vote, duke mbetur në po të njejtat nivele si në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.Sipas tij, procesi duhet të vlerësohet pasi gjithcka po ecën normalisht, nuk është shënuar asnjë incident ndërsa të gjitha qendrat e votimit u hapën në kohë.Numri më i madh i votuesve ka dalë në Novaci, Kratovë me rreth 20 %, ndërsa më pak në Dibër rreth 3,6 % dhe Tetovë 4,8 %.Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët, pritet që pjesëmarrja në këto votime, të rritet gjatë orëve të pasdites.Në vendvotime ka dy fletëvotime, njëri për zgjedhjet parlamentare dhe tjetri për zgjedhjet presidenciale. Këto janë zgjedhjet e pesta presidenciale pas pavarësisë së vendit, ku në balotazh janë dy kandidatët për president Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga LSDM.Në garën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare janë 14 lista konkurruese prej të cilave 5 koalicione dhe 9 parti politike të maqedonasve dhe shqiptarëve, që po garojnë për 123 vende deputetësh në Parlamentin e Vendit.Partia e Ali Ahmetit, BDI, ka ftuar shqiptarët të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale.