Kore e Jugut, trageti fundoset në det, 28 të vdekur, 268 të zhdukur

268 persona ende rezultojnë te zhdukur pas fundosjes së tragetit në Korenë e Jugut ndërsa zhytësit dhe ekipet e emergjencës po përpiqen të hyjnë në brendësi të tragetit. Pjesa më e madhe e të zhdukurve janë studentët e shkollës së mesme të Seulit. Zyrtarisht nga autoritetet koreano-jugore pranohet se numri i viktimave është 28 ndërsa 179 janë shpëtuar. Shkaqet e kësaj ngjarje mbeten ende mister dhe të dyshimta. Pasi është hedhur poshtë moti i keq si shkaktar i kësaj tragjedie, tashmë ekspertet janë në mëdyshje: ose trageti ka goditur ndonjë shkëmb ose është kthyer përmbys për shkak të disbalances së madhe të peshës së anijes. Por kjo e dyta vështirë se do të mbetet pista kryesore ku do të hetohet sepse trageti kishte një kapacitet prej 900 personash ndërsa në bordin e saj nuk gjendeshin as 500 pasagjerë.Deri me tani, ekipet e shpëtimit kane arritur të hyjnë në brendësi të tragetit, deri në urën e tij dhe pjesa e restorantit por studentët dhe pasagjerët e tjerë të mbetur brenda, dyshohet se janë në një tjetër kat, pasi trageti është kthyer përmbys. Pavarësisht se zyrtarët janë shprehur skeptikë se brenda tragetit ka mbetur ndonjë i mbijetuar, në orët e para para se anija te zhytej e gjitha nën ujë, nga telefonat celularë brenda tragetit, janë dërguar sms apo video, që tregojnë se dhjetëra persona kanë mbetur të bllokuar në korridoret e mbushur me ujë. Në një deklaratë të përbashkët për mediat, familjarët e te zhdukurve, bëjnë thirrje për një aksion urgjent pasi fëmijët apo të afërmit e tyre mund të jenë ende gjallë, pavarësisht temperaturave të ulëta të ujit.Ndërkaq pamjet e filmuara brenda tragetit në momentin e parë të përmbysjes së tragetit, të derguara pastaj nga studentët për familjet e tyre. Ata i bërtasin njëri-tjetrit të mos lëvizin sepse mund të jetë e rrezikshme. Por që nga ai moment asnjë telefon nuk punon më dhe asnjë nga familjarët nuk ka mundur të flasë me ndokënd brenda tragetit.