Putin: Ukraina, në prag lufte civile

"Ukraina gjendjet buze nje lufte civile". Ky ka qënë komenti i bërë nga presidenti i Rusisë, gjatë një telefonate me kancelaren gjermane Angela Merkel, në fokus të së cilës ishte situata në Ukrainë. Dy zyrtarët e lartë të Rusisë dhe Gjermanisë, zhvilluan mbrëmjen e së martës një bisedë të gjatë telefonike, disa orë pasi forcat e armatosura të Ukrainës e rimorën kontrollin ndaj një baze të vogël ajrore në pjesën lindore të këtij vendi, ku separatistët pro-rusë, në nëntë qytete, i kanë okupuar ndërtesat qeveritare dhe kapacitetet e tjera. Ndër të tjerë, të dy lideret e vlerësuan të një rëndësie jetike, takimin e së enjtes në Gjenevë mes diplomatëve të Rusisë, Ukrainës, BE-së dhe SHBA-ve. Ndërkohe operacioni i ushtrisë ukrainase në lindje të Ukrainës ka bërë që presidenti rus Vladimir Putin dhe Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon, të zhvillojnë një bisedë telefonike për situatën atje. Kremlimi ka njoftuar se presidenti rus Putin i ka thënë sekretarit të OKB-së, se Kombet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të dënojnë përdorimin e forcës nga ana e autoriteteve ukrainase në Ukrainën lindore."Pala ruse pret një dënim nga ana e Kombeve të Bashkuara dhe Bashkësisë Ndërkombëtare në drejtim të veprimeve anti-kushtetuese të Ukrainës", ka njoftuar Kremlini zyrtar. Zyra e sekretarit Ban Ki-moon ka thënë në anën tjetër, se në bisedën mes sekretarit dhe presidentit rus, është diskutuar rreth situatës së paqëndrueshme në Ukrainën lindore. "Sekretari i përgjithshëm ka nënvizuar se çfarëdo thellimi i krizës do të jetë i dëmshëm për të gjithë, prandaj, ka nevojë për tu punuar në stabilizimin e situatës"- thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e OKB-së. Ndërkaq presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandr Turchynov, tha se baza në Kramatorsk ishte "çliruar". Ndersa sipas raporteve, një tjetër operacion "anti-terror" po zhvillohet në qytetin e afërt Sllovjansk, megjithëse ende ka shumë pak detaje.