Dyshimet për ish-ambasadorin e SHBA-së, Loboi për Bechtel tani punësohet nga kompania
Loboi fort që të ishte kompania "Bechtel" ajo që do të ndërtonte rrugën me vlerë 820 milionë euro në Kosovë, e cila sigurisht që fitoi tenderin për të ndërtuar autostradën Kosovë-Shqipëri dhe në fakt është shpërblyer më së miri nga kompania në fjalë, duke marrë një post drejtues. Pasi i siguroi kompanisë amerikane kontratën fitimprurëse, Kristofer Dell, ish ambasadori amerikan në Kosovë, pasi i dha fund karrierës prej 3 dekada në Departamentin Amerikan të Shtetit, prej më shumë se një viti ka marrë në menaxhim kompaninë e ndërtimit "Bechtel". Sipas të përditshmes britanike "The Guardian", ish diplomati i lartë amerikan, në 2009, ndërhyri edhe tek kryeministri Hashim Thaçi që të kontraktohej pikërisht kompania në fjalë. Madje në atë kohë, edhe Pieter Feith, një diplomat i BE-së, kritikoi kontratën e nënshkruar me arsyetimin se ambasadori amerikan loboi për të duke fshehur edhe informacione. Sipas tij, Dell ka bërë marrëveshje të paarsyeshme me kompaninë amerikane, e cila ka rrezikuar shumë buxhetin e vendit ndaj dhe ai, qysh prej asaj kohe i ka kërkuar DASH, të investigojë këtë çështje. Në nënshkrimin e kontratës me Kompaninë "Bechtel-Enka", kishte marrë pjesë edhe Ish-Ministri i Transportit Fatmir Limaj, për të cilin Faith thotë se ishte konfliktuar me Christofer Dell, menjëherë pasi kishin filluar hetimet për Limajn. Faith thotë se Dell ishte përpjekur që ta largonte Limajn nga Kosova për ti ofruar kështu një post diplomatik në New York ose Washington, gjë që ishte kundërshtuar nga ai. Pavarësisht shqetësimeve të FMN, Bankës Botërore, diplomatëve europianë, qeveria kosovare nënshkroi me "Bechtel-Enka", marrëveshjen në prill të 2010-ës. Në atë kohë, ambasadori Dell nuk pranoi të komentonte asgjë. Dyshimet shtohen gjithnjë e më shumë nëse kujton se oferta fillestare e nënshkruar për ndërtimin e autostradës ishte vetëm 400 milione euro, më pas shkoi në 660 milionë ndërsa në fund kontrata u firmos për 820 milionë Euro, gjithçka për vetëm 77 km rrugë. E të mendosh se i gjithë buxheti i shtetit në Kosovë për 2012, ishte 1.5 miliard Euro. Ndërkohë edhe në Shqipëri, qeveria e re ka deklaruar se do të nisë një hetim për financimin e kësaj rruge.