Maqedoni, PDSH dështon edhe në bastionet e saj, Halimi merr vetëm 39 mijë vota
Edhe pse ishte kandidati i vetëm shqiptar në zgjedhjet e djeshme presidenciale në Maqedoni, Iljaz Halimi ka arritur rezultate tejet minimale duke fituar 38.900 vota, një shifër tejet e ulët në krahasim me elektoratin votues të PDSH-së.Kandidati i PDSH-së, sipas rezultateve të KSHZ-së nuk ka arritur që të sigurojnë votat edhe në bastionet e kësaj force politike.Kështu në Tetovë, Halimi ka marrë vetëm 7093 vota, në Gostivar 3929 vota, në Strugë 1258 vota, Dibër 447 vota, Bogovinë 2270 vota, Bërvenicë 1145 vota, Zhelinë 1841 vota, Saraj 1929 vota, Studeniçan 1299 vota, Tearcë 2231 vota, Çair 1972, Butel 388 vota, Haraçinë 669 vota, Likovë 2062 vota dhe Kumanovë 1949 vota.Kreu i kësaj partie, Menduh Thaçi këtë situatë e ka përshkruar dhe arsyetuar se shqiptarët votuan në gjendje të jashtëzakonshme si pasojë e kërcënimeve, trysnisë dhe dhunës fizike ndaj aktivistëve të partisë së tij.Ndërkohë një rezultat humbës PDSH-ja e ka pasur edhe në zgjedhjet presidenciale të marsit 2009, kur kandidatja e kësaj partie, Mirushe Hoxha fitoi vetëm mbi 24 mijë vota.