Serbia me strategji të re për negociatat me Kosovën
Serbia ka paralajmëruar krijimin e një strategjie të re, e cila do të jetë bazë për bisedimet e ardhshme me Kosovën.Si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për krijimin e Forcave të Armatosura, si dhe transformimin e mandatit të EULEX-it që pritet të ndodhë në qershor, zyrtarë të Beogradit kanë thënë se këto çështje tejkalojnë Marrëveshjen e Brukselit, duke paralajmëruar ngritjen e këtyre temave në Bruksel.Ky pozicion i shtetit serb mund të konfirmohet përmes një rezolute në Kuvendin e Serbisë.Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë mohuar kategorikisht diskutimet me Serbinë për FAK-un dhe për mandatin e EULEX-it.Ndërkohë 3 ditë më parë u zhvillua në Bruksel një raund i ri bisedimesh mes Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç, takim ky i fundit për Ivica Daçiç në postin e kreut të qeverisë së Beogradit.Tashmë bisedimet me Kosovën nga ana e Serbisë do të udhëhiqen nga kryeministri i zgjedhur Aleksandër Vuçiç. Zëvendëskryeministri dhe kreu i Partisë Progresiste Serbe Vuçiç dy javë më parë fitoi më shumë se 50% të votave në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.