Pa marrëveshje takimi Thaçi-Daçiç, Ashton: Paketa për drejtësi finalizohet takimin e ardhshëm

Në Bruksel përfundoi pa marrëveshje raundi i 23-të i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Në një deklaratë për shtyp, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, që ndërmjetëson bisedimet, tha se “është e kënaqur me faktin se palët pothuajse i kanë përmbyllur debatet mbi drejtësinë. Në pritje të harmonizimeve të nevojshme pakoja do të finalizohet në takimin e ardhshëm”.Raundi i fundit i bisedimeve qe zhvilluar në muajin shkurt me diskutimet për çështjen e gjykatave në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Të dyja palët thanë atëbotë se kanë shënuar përparime në këtë fushë dhe se kishte një pajtim që në Mitrovicë të ketë një gjykatë, autoriteti i së cilës do të përfshijë shtatë komuna, por që një njësi e gjykatës të jetë në pajtim më strukturën e popullsisë në veri. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha para takimit të sotëm se është i bindur që sot do të përmbyllej marrëveshja për këtë fushë, po kjo nuk ndodhi.Zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se në bisedime është arritur afrim i madh i qëndrimeve dhe sipas tij,“kryetari i gjykatës në veriun e Mitrovicës do të jetë serb, ndërsa përbërja e gjykatësve do të jetë 60 me 40 për qind. Ndërsa sa u përket prokurorëve ai tha se numri do të jetë i njëjtë.Ai beson se marrëveshja përfundimtare pritet nga fundi i muajit prill.“Presim që pas formimit të qeverisë që do të duhej të ndodhte deri më 27 prill, më 29 prill në Bruksel të arrihet marrëveshja përfundimtare për gjyqësinë”, tha ai.