Jacobson: Reforma zgjedhore nuk është ajo që ne kemi bërë thirrje

Për çështjen më të ndjeshme në Kosovë kohëve të fundit, krijimin e një Tribunali që do ti hetonte krimet e luftës, ka folur së fundmi edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë Tracy Ann Jacobson. Në një intervistë për mediat kosovare, Ambasadorja është treguar e rezervuar sa i përket kësaj çështje, por ka thënë se shumë shpejt do të dalin në shesh detajet për formimin e këtij Tribunali.Megjithëse ajo e quan Task Forcë për Hetime Speciale, për të cilën thotë se SHBA-të e kanë përkrahur këtë Task Forcë, që ekziston nën ombrellën e BE-së tash e sa kohë dhe ata kanë kryer hetime. Ajo më tutje ka thënë se nga kjo, dëshirojnë të shohin një proces kredibil ndërkombëtarë. E për vendin se ku do të themelohet, Jacobson ka thënë se bisedimet janë duke vazhduar dhe kjo gjë sipas saj do të qartësohet brenda disa ditësh.“Është e rëndësishme që Qeveria dhe Parlamenti të bëjnë një marrëveshje me Bashkimin Evropian për këtë çështje. Shkatërruese për imazhin e Kosovës do të ishte një procedurë gjyqësore që nuk është transparente dhe që nuk i plotëson standardet ndërkombëtare, e jo se ku do të vendoset Gjykata. Shpresoj se gjithçka do të qartësohet brenda disa ditësh”, ka thënë Jacobson.Ambasadorja Jacobson ka folur edhe për reformën zgjedhore, e cila thotë se nuk është rrënjësore dhe ajo për të cilën SHBA-të dhe BE-ja kanë bërë thirrje në të kaluarën. Por për këtë pret që të bëhen pas zgjedhjeve. Këtë ajo e ka sugjeruar edhe pas shpjegimeve që ka marrë nga komisioni italian, i cili kishte thënë se nuk mund të bëhen reforma të mirëfillta elektorale kur janë afër zgjedhjet, duke konsideruar se reforma mund të politizohet.“Reforma elektorale me të cilën po merret Parlamenti, madje edhe sot, është më shumë reformë teknike. Nuk është reforma rrënjësore për të cilën SHBA-të dhe BE kanë bërë thirrje në të kaluarën, kështu që pres që ajo do të bëhet, por pres që të bëhet pas zgjedhjeve. Kemi një reformë sipërfaqësore tani, por shpresojmë që të kemi një reformë rrënjësore më vonë”, ka thënë Jacobson.E kur ka folur për takimin e fundit ndërmjet Thaçit dhe Mustafës, Ambasadorja amerikane ka dhënë një porosi për liderët politik.“Porosia jonë për Kryeministrin Thaçi dhe liderët politikë partiakë është se është e rëndësishme që ta kryejnë punën që e kanë para vetes, siç është EULEX-i, para se të shpërbëhet Parlamenti dhe që është e rëndësishme që të organizojnë zgjedhje të lira dhe të drejta”, ka thënë ambasadorja duke u sugjeruar politikanëve që të tregojnë një nivel të lartë sikur në zgjedhjet lokale që janë mbajtur në vjeshtë.