Danimarka e sheh Shqipërinë në BE, Lykketoft-Metës: S’ka Europë pa Ballkanin

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka kërkuar asistencë nga Danimarka për procesin e integrimit të Shqipërisë. Ndërsa ka marrë pjesë në një darkë të organizuar nga Kryetari i Parlamentit të Danimarkës Mogens Lykketoft për nder të tij, Meta u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë do të mbështesë Qeverinë në axhendën e saj evropiane të reformave, duke nxitur një frymë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirjeje në votimin e legjislacionit të nevojshëm.“Unë kam ardhur këtu për të siguruar bashkëbiseduesit tanë danezë se prioriteti kryesor në axhendën tonë kombëtare, politike dhe parlamentare,dhe në axhendën e të gjithë spektrit politik është integrimi evropian i vendit dhe i të gjithë fqinjëve tanë në rajon. Sa i takon zhvillimit, ne kemi nevojë jo vetëm për asistencën dhe ekspertizën e vlefshme që Danimarka i jep Shqipërisë, por gjithashtu kemi nevojë që investitorët tuaj të vijnë dhe të shikojnë mundësitë që ofron Shqipëria, veçanërisht në energji, agro-përpunim, bujqësi dhe turizëm. Unë mendoj se si Qeveria, ashtu dhe Opozita kanë të njëjtën përgjegjësi kur bëhet fjalë për prioritetet tona evropiane. Ne besojmë se, pavarësisht momenteve të vështira dhe krizës ekonomike që po kalon Bashkimi Evropian, lodhja nga zgjerimi nuk duhet lejuar të zëvendësojë vlerat e vërteta evropiane, tek të cilat ne besojmë fort” tha Meta.Ndërsa, kreu i parlamentit të Danimarkës Lykketoft, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve."Danimarka dhe Shqipëria janë bashkë në shumë drejtime, në NATO, në Afganistan dhe jemi përsëri së bashku sot në Ukrainë. Dëshirojmë të jemi bashkë sa më shpejt edhe në Bashkimin Evropian, sepse të gjithë këtu në Parlamentin e Danimarkës jemi dakord se projekti evropian nuk do të plotësohet kurrë pa integruar plotësisht edhe Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një perspektive të shkëlqyer të bashkëpunimit dypalësh mes Danimarkës dhe Shqipërisë, dhe jam i bindur se vizita juaj është një hap i madh në këtë drejtim" tha Lykketoft.Gjatë qendrimit në Kopenhagen, kreu i Kuvendit u takua dhe me Mbretëreshën e Danimarkës, Sekretarin e Përgjithshëm te Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe Avokatin e Popullit të Danimarkës.Kryetari i Kuvendit, Meta e falënderoi Mbretëreshën për pritjen e ngrohtë dhe shprehu vlerësimin e popullit shqiptar për nivelin e lartë të ekselencës dhe të zhvillimit qytetar e demokratik të Danimarkës, duke theksuar se Danimarka përfaqëson një vend të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë.Meta e falënderoi Mbretëreshën për kontributin e Danimarkës në forcimin e kapaciteteve demokratike dhe institucionale të Kosovës, si një benefit për të gjithë rajonin e Ballkanit, duke bërë një vlerësim të veçantë gjithashtu për angazhimin e vazhdueshëm të Monarkisë Daneze në funksion të zhvillimit të lirive demokratike dhe standardeve të të drejtave të njeriut.Mbreteresha e Danimarkës shprehu interesin për zhvillimet në Shqipëri dhe vuri në dukje simpatinë e saj për traditën dhe historinë e popullit shqiptar, duke e falënderuar njëkohësisht Kryetarin e Kuvendit z. Meta dhe deputetët e delegacionit shqiptar për këtë vizitë në Danimarkë.Ndërsa në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE me Seli në Kopenhagen, Spencer Oliver, Meta vlerësoi punën e OSBE në Shqipëri dhe në rajon, duke theksuar kontributin e veçantë të Organizatës në Kosovë. Në këtë kuadër, Meta shprehu dëshirën e Shqipërisë për përfshirjen e Kosovës në takimet e organizuara nga Asambleja Parlamentare e OSBE, i cili do të ishte një gjest kontribuues për forcimin e stabilitetit në rajon.Sekretari i Përgjithshëm, Spencer Oliver bëri një vlerësim të veçantë për rolin e rëndësishëm konstruktiv që Shqipëria luan në rajon dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin mes Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe Kuvendit të Shqipërisë.Në takimin me Avokatin e Popullit të Danimarkës,Jørgen Steen Sørensen, Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen e thellë të Shqipërisë për mbështetjen e rëndësishme që Danimarka i ka dhëne institucionit të Avokatit të Popullit në Shqipëri, i cili është krijuar sipas modelit danez dhe që është tërësisht i angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve në Shqipëri, si dhe në fuqizimin e standardeve më të larta të demokracisë në vend.