Rama premtime ish-të përndjekurve: Është bërë pak ndër vite, po hapim kapitull të ri
Duke filluar nga java e ardhshme, qeveria do të nisë pagesën e 545 të përndjekurve të cilët nuk kanë marrë as këstin e parë të kompensimit për vitet e burgut që kanë kryer në kohën e komunizmit. 180 përfituesit e parë do të jenë në moshën mbi 85 vjeç, ndërkohë që buxheti në total që qeveria ka akorduar këtë vit për të komensuar ish-të përndjekurit është18 milionë dollarë.Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj, gjatë ceremonisë së rikonstruksionit të godinës së Institutit të ish-të përndjekurve politikë.
“Buxheti i garantuar nga qeveria është 18 milionë dollar. Do të donim të ishte më shumë, por është shumë më tepër se 10 milionë dollar që PD vuri në 2008, më shumë se 4 milionë dollarë në 2010, dhe në vitet elektorale të PD-së kur përpiqej të rikuperonte pozicionin pas grevës së ish të përndjekurve”- tha Veliaj.I pranishëm në ceremoninë e inagurimit, shefi i qeverisë, Edi Rama, deklaroi se do ti jepet fund abuzimit me këtë kategori. Kryeministri u shpreh para ish-të përndjekurve se nuk ka mal parash që kapërcen kujtesen, por ai i garantoi se qeveria do jetë e ndershme me ta.
“Ne jemi sot këtu me vetëdijen e plotë se problemi është shumë më i madh se mundësitë për ta zgjidhur atë menjëherë. Do bëjmë përpjekje për të bërë më të mirën e mundshme në një kohë të vështirë për vendin. Po i japim fund hipokrizisë dhe abuzimit 20 vjecar me ish të përndjekurit duke bashkëpunuar me ta me dorën në zemër, për ta mbyllur me dinjitet plagën e hapur të keqtrajtimit të tyre moral, dhe pastaj hap pas hapi atë të moskompensimit material”, tha Rama.