Sfidat e integrimi, Gjosha-Peleshi: Reformat i duhen Shqipërisë, jo Europës

Muaji maji pritet të përmbyllë plotësimin e pjesës më të madhe të 5 prioriteteve kyçe për integrimin, në mënyrë që vendet anëtare të Unionit të kenë mundësi të vlerësojnë progresin apo jo të Shqipërisë për përgjigjen në qershor. Në tryezën e radhës mbi “Sfidat e integrimit të Shqipërisë në BE”, Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, tha se qeveria mbetet e angazhuar për të përmbushur të gjitha sfidat para qytetarëve.“Angazhim për 5 prioritetet kyçe, pjesa më e madhe e të cilave do plotësohen brenda muajit maj.Në morinë e sfidave që kemi është zbatimi i reformave të nisura. Anëtarësimi është proçes i bazuar në merita, ne do angazhohemi plotësisht për të përmbushur sfidat tonë para qytetarëve që na kanë besuar.“Të marrim eksperiencën më të mirë nga ekspertët ndërkombëtarë, për ta çuar Shqipërinë përpara në procesin e integrimit në BE”, deklaroi Ministrja.Ndërsa për zv.kryeministrin, Niko Peleshi, reforma në sistemin e drejtësisë, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten ndër sfidat më të mëdha të qeverisë.“Integrimi nuk është vetëm objektiv i qeverisë, por i çdo qytetari shqiptar. Mbështetja për integrimin është shumë e lartë. Qeveria është përpjekur të mësojë nga gabimet e së shkuarës. Kemi mësuar që integrimi nuk është një set detyrash që duhen përmbushur për të marrë not kaluese në BE, por është një proces zhvillimi evropianizimi në tërësi. Integrimi është mënyra më e re për të sjellë inovacion dhe modernizim.Ligjet nuk duhet të mbeten në letër por me rëndësi është zbatimi në praktikë i tyre, gjithpërfshirja, dialogu jo vetëm me opozitën por edhe më qytetarët e grupet e interesit. Këto janë disa nga gjërat e mësuara prej BE.Afrimi i qershorit shton ndjenjën e përgjegjësisë tek ne, nëse merret statusi vlerësohet puna e shqiptarëve. Sfida nuk mbaron këtu, nuk mbaron as me anëtarësimin në BE”, nënvizoi ai.