Putin njeh pavarësinë e Krimesë, Turchynov: Rusia po kërcënon me luftë

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandr Turchynov, sot gjatë një fjalimi në televizion, ka shpjeguar se përse ka urdhëruar mobilizimin e 40 mijë rezervistëve, në përgjigje të okupimit të Krimesë nga Rusia.Turchynov tha se udhëheqja politike e Rusisë po e “jeton ëndrrën perandorake” dhe po e “kërcënon Ukrainën me luftë të përgjithshme”. Sipas tij, Kremlini po reagon me “frikë panik” për shkak të kryengritjes popullore me të cilën është përmbysur regjimi i mëparshëm autoritar i Ukrainës.Turchynov tha se agresioni i Rusisë është i motivuar nga frika për Ukrainën “demokratike dhe prosperuese” dhe se Rusia po dërgon “provokatorë” brenda Ukrainës dhe po i financon “tradhtarët dhe separatistët” për ta ndarë këtë vend.Ndërkaq Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka nënshkruar një urdhër me të cilin njihet rajoni i Krimesë në Ukrainë si shtet i pavarur dhe sovran. Agjencitë ruse të lajmeve, duke u bazuar në Shërbimin për shtyp të Kremlinit, raportojnë se këtë urdhër Putini e ka nënshkruar sot.Kjo lëvizje u bë pasi parlamenti rajonal i Krimesë sot e ka shpallur pavarësinë nga Ukraina dhe formalisht ka kërkuar t’i bashkangjitet Federatës Ruse. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian konsiderojnë se, sipas ligjeve të Ukrainës dhe së drejtës ndërkombëtare, referendumi është ilegal.