Rumani, zhvillohen zgjedhjet parlamentare
Rumania zhvillon sot zgjedhjet parlamentare. Sondazhet flasin për një fitore të koalicionit qeverisës të qendrës së majtë, të udhëhequr nga kryeministri Victor Ponta.Megjithatë rezultati mund të çojë në zgjatjen e paqëndrueshmërisë politike teksa vendi negocion një kredi jetike me FMN. Ponta dhe presidenti i qendrës së djathtë, Traian Basescu kanë qenë kundërshtarë të mëdhenj të njëri-tjetrit, që nga korriku i shkuar, kur qeveria zhvilloi një referendum për shkarkimin e tij.Analistët thonë se nëse Bashkimi Social-Demokrat i Pontës do të fitojë, presidenti mund t'i kërkojë dikujt tjetër të formojë qeverinë, çka do të thotë se Ponta nuk do të jetë kryeministër.Basescu është shprehur se do ta përdorë pushtetin e tij për të caktuar një kryeministër që do të jetë në interes të kombit dhe nisur nga armiqësia vështirë të besohet se do t'i kërkojë Pontës formimin e qeverisë.Nga ana tjetër, çdo tentativë për të caktuar dikë tjetër mund të çojë në një krizë kushtetuese. Nëse Social-Demokratët do të marrin një maxhorancë të fortë, atëherë mund të mos zgjidhet Ponta për krijimin e qeverisë, me argumentin se USL nuk është një parti, por një koalicion, por nëse ata nuk do të marrin maxhorancën, Basescu mund t'i kërkojë njërit prej aleatëve të tij në Aleancën për një Rumani të Drejtë që të formojë një koalicion, pasi sondazhet e nxjerrin partinë në fjalë në vend të dytë.