"Dhurata" e 8 marsit për 35 gra, të dënuarat në burgun 352 përfitojnë nga amnistia
Gra politikane, përfaqësuese të qeverisë dhe Parlamentit Shqiptar, vendosën ta përshëndesin me mënyrën e tyre ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, deputetet e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Vasilika Hysa dhe Ermonela Felaj, vizituan institucionin penal “Ali Demi “ (325), ku rreth 60 gra vuajnë dënimin.Në një atmosferë festive dhe krejtësisht të çlirët, zonjat e mirënjohura u pritën në këtë institucion nga gratë e dënuara, të cilat në një ditë si kjo mendojmë më shumë se kurrë për lirinë.
Nisur nga qëllimi i kësaj dite, që është evokimi i të drejtave të grave kudo në botë, pavarësisht gjykimeve dhe përkatësisë së tyre, edhe gratë politikane në fjalën e tyre përshëndetëse dhanë mesazhe optimiste dhe universale.Ministrja e Arsimit dhe Sportit, u shpreh e emocionuar në fjalën e saj para grave dhe vajzave të dënuara të institucionit penal “Ali Demi”.“Jam këtu sot për t’ju përcjellur një përgjegjësi të Qeverisë, që ju të mos jeni thjesht të mbyllura në këtë institucion, por që ne të krijojmë të gjitha mundësitë brenda këtij institucioni për riintegrimin tuaj dhe përmirësimin e kushteve gjithnjë e më shumë. Si ministre e Arsimit dhe Sportit do të doja t’ju siguroja, që për fëmijët tuaj po bëjmë gjithçka që ata të mirëshkollohen, të mirëedukohen, në mënyrë që e ardhmja e tyre të jetë padyshim një e ardhme e sigurtë, të bëjnë sukses dhe të realizojnë gjithçka që ju do të dëshironit, në fakt, që të ishte e ardhmja më e mirë e fëmijeve, e nipërve apo e mbesave tuaja. Ne do të vazhdojmë të vijmë për t’ju vizituar e për të dëgjuar nga afër gjitha shqetësimet tuaja. Përtej kësaj vizite, ne do të jemi duke punuar e duke vepruar në mënyrë që dhe kushtet për gjithë zonjat, gratë dhe vajzat e Shqipërisë të jenë më të mira, që jeta e tyre të jetë më e qet, më e sigurt dhe të kenë mundësi që të mirë rrisin fëmijët e tyre, në familjet e tyre, bashkarisht me bashkëshortët e tyre. Gëzuar dhe njëherë festën e 8 marsit, është kënaqësi e veçantë të jem këtu me ju sot”tha ajo.Një mesazh mjaft shpresëdhënës transmetuan edhe dy deputet e Parlamentit të Shqipërisë, Vasilika Hysi dhe Ermonela Felaj, të cilat bashkë me urimet e tyre në këtë ditë feste, prezantuan iniciativën parlamentare për projektligjet “Për dhënie amnistie” dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”.
Ato theksuan nevojën që ka shoqëria për gruan dhe faktin, se gruaja mbërrin në kryerjen e një vepre penale kur rrethanat e detyrojnë atë. Në fjalën e saj, Hysi u ndal tek ndryshimet ligjore, që do tu vinin në ndihmë grave të dënuara.“Ne po e shikojmë projekt- ligjin për amnistinë me shumë vëmendje. Pikësynimi ynë është trajtimi më i mirë për gratë në paraburgime dhe burgje. Ne gratë në Parlament do jemi gjithmonë në krahun tuaj. Do luftojmë për sa më pak gra të dhunuara dhe sa më pak gra të burgosura.”
Ndërsa deputetja Felaj, gjatë fjalës së saj theksoi rëndësinë e projektligjit të Amnistisë, i cili pas diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, pritet të kalojë së shpejti në Parlament për votim dhe më pas, të hyjë në fuqi.“Ju uroj gëzuar 8 Marsin, ditën tuaj, ditën e gëzimit të gruas anembanë botës. Kjo amnisti është më e gjera që është bërë ndonjëherë, gjë për të cilën falenderoj edhe kolegët e Komisionit të Ligjeve pa dallim partiak, që e mirëpritën. Në këte nismë, ne jemi përpjekur dhe kemi bërë gjithçka që gratë të kenë një fokus dhe trajtim të veçantë.”
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, pas fjalës së zonjave politikane, theksoi në fjalën e tij se kjo është dita e grave, ndaj gjithë vëmendja është tek to.“Lajmet e mira ju i mësuat sot nga zonjat deputete. Dua edhe unë t’ju siguroj, se gratë e dënuara ne i shohim me prioritet në procesin e rehabilitimit. Sot duhet të festoni, pasi kjo është dita juaj.”Më pas ministrja Nikolla, së bashku me zonjat deputete dhe drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, dëgjuan dhe diskutuan për të gjitha shqetësimet dhe sugjerimet që gratë dhe vajzat e këtij institucioni ngritën gjatë takimit.