Lule për të sëmurat në Onkologjik, nisma e studentëve të mjekësisë për 8 marsin
Mëngjesi i ditës së sotme ka nisur ndryshe për të gjitha ato gra dhe vajza që janë të shtruara në spitalin Onkologjik në Qëndrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Studentë të fakultetit të mjekësisë kanë kontribuar, duke përgatitur për secilën prej të sëmurave një tufë me lule me rastin e 8 marsit.“Ne sot për këtë festë për këtë festë të nënës, gruas dhe femrave në gjithë botën kemi menduar të bëjmë një aktivitet shumë të veçantë, për të shkuar aty ku ndoshta është më e rëndësishme për të falur dashuri dhe vëmendje, tek spitali Onkologjik. Jemi një numër studentësh që me vetëfinancim kemi marrë këto lule dhe kemi menduar që çdo zonje që është atje, por dhe stafit të infermiereve, mjekëve dhe mjekeve që janë aty tu dhurojmë nga një buqetë me lule. Kjo tregon se ne jemi me to në çdo kohë, i kujtojmë, i duam dhe ju urojmë shërim sa më të shpejtë. Ndoshta është ndër ato ambjente ku festa hyn pak, kështu që ne do përpiqemi që me grupin tonë të ofrojmë buzëqeshje dhe shumë dashuri”u shpreh një nga studentët.Janë 100 buqeta me lule të përgatitura nga ky grup studentësh që do të shkojnë për pacientet dhe stafin e mjekeve dhe infermiereve të Onkologjikut në këtë ditë feste.