Vakanca për Gjykatën e Lartë, Nishani fton grupet parlamentare në konsultime

Pas rrëzimit të dekreteve presidenciale nga ana e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë të dy kandidaturave për anëtarë të gjykatës së lartë, Presidenti Nishani fton krerët e grupeve parlamentare në këshillime për përcaktimin e kritereve konkrete për emërimin e një anëtari të Gjykatës së Lartë.Në një njoftim në faqen zyrtare të Presidencës theksohet se “Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në përmbushje të përcaktimeve kushtetuese si dhe bazuar në ligjin nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë’” në vijim të procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Gjykatës së Lartë për të siguruar një përbërje cilësore, ditën e martë, më datë 4 mars 2014, do të organizojë takime këshillimore me krerët e grupeve parlamentare për emërimin e një anëtari të Gjykatës së Lartë si pasojë e vakancës së krijuar si rrjedhojë e përfundimit të mandatit të gjyqtarit Ardian Dvorani”.Në këto takime, duke filluar nga ora 10:00 deri në 13:15 ftohen të marrin pjesë krerët e grupeve parlamentare të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike, të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet si dhe të Partisë Republikane.Në seancën parlamentare të 31 janarit Kuvendi rrëzoi dekretet e Presidentit të Republikës për emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë. Me 44 vota pro, 77 vota kundër dhe 2 abstenime kandidati i propozuar, Petrit Çeno dhe Gjovalin Përnoca, nuk morën pëlqimin e Kuvendit për të qenë gjyqtar në Gjykatën e Lartë.Relacioni i Komisionit të Ligjeve kontestonte mënyrën sesi Presidenti kishte përzgjedhur kandidaturat duke mos respektuar ligjin. Sipas relatorit Armando Subashi, dy kandidatët nuk kanë formim specifik në të drejtën administrative, kriter i domosdoshëm sepse ata do të jenë pjesë e Kolegjit Administrativ.Ndërsa Eduard Halimi, në emër të deputetëve demokratë, u shpreh se ligji i ri për Gjykatën e Lartë, i miratuar me konsensus pas kërkesës së Bashkimit Europian, sot ka provën e tij të parë sesi do të zbatohet nga mazhoranca e re në Kuvend. Halimi tha se kandidaturat janë përzgjedhur në një proces konsultativ me kryetarët e grupeve parlamentare dhe me frymën e ligjit të ri.