Meta: Shqipëria e fragmentizuar, reforma territoriale e domosdoshme
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka pritur sot në takim disa përfaqësues nga gjashtë komuna të Kosovës, të cilët ndodheshin në Tiranë në një vizitë të organizuar nga Instituti për Qeverisjen Lokale në Kosovë.Duke folur gjatë këtij takimi, Meta u shpreh se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës janë të jashtëzakonshme për të gjitha dimensionet që kanë të bëjnë me historinë dhe sidomos të ardhmen.Kryetari i Kuvendit u ndal në iniciativën e mazhorancës për reformën administrative-territoriale, duke e cilësuar si një proces shumë të rëndësishëm. Ai tha se kjo është një reformë të cilës i ka kaluar koha me kohë dhe se Shqipëria për fat të keq është shumë mbrapa për shkak të mungesës së vullnetit politik për të bërë një reformë në interes të qytetarëve dhe jo në interes të forcave politike.“Shqipëria ka një fragmentim të jashtëzakonshëm të pushtetit vendor dhe të njësive vendore. 385 njësi vendore është një numër jashtëzakonisht i madh. Ju e kuptoni se çdo të thotë kjo në një vend me diçka më shumë se 3 milionë banorë. Për më tepër që ky fragmentim kaq i madh e bën të pamundur që pushteti vendor të bëjë politika reale zhvillimore, të ndërtojë strategji afatgjatë për komunën apo bashkinë, duke u bazuar në resurset natyroren resurset njerëzore në mundësitë financiarë që krijon administrimi i këtyre burimeve e shërbimeve”, tha Meta.Sipas Kryetarit të Kuvendit ky fragmentim pengon edhe investimet, si ato vendase ashtu edhe ato të huaja.“Sepse kuptohet që për t’u bërë një hidrocentral sado i vogël qoftë ai, për t’u bërë një investim sado i vogël në komunë, duhet marrë leje te qarku, duhet marrë leje te komuna e kështu me radhë, dhe kjo e bën të pamenaxhueshëm, të pakontrollueshëm këtë proces, por njëkohësisht edhe nuk kanë kualifikimin e duhur për të bërë një oponencë që një leje e dëmton mjedisin apo nuk e dëmton”, vijoi Meta.Duke sqaruar thelbin e reformës administrative-territoriale, z. Meta u shpreh se nuk do të reduktohen shërbimet ndaj qytetarëve, por ka nevojë për një vendimmarrje në pushtetin vendor më të kualifikuar dhe më të përgjegjshme.Për Kryetarin e Kuvendit, shërbimet e domosdoshme që merren dhe realizohen edhe në komunat më të largëta duhet të vazhdojnë të jenë të njëjta, por vendimmarrja e rëndësishme të merret në qytet, sepse atje ka edhe njerëz të aftë për t’u thelluar, për të bërë një studim, për të dhënë një leje, për të nxitur një politikë zhvillimi, pra i shikojnë gjërat shumë më ndryshe dhe i kanë kapacitetet për zhvillim.“Vetëm nga kursimi i kostove administrative që mund të ndodhin dhe që do të ndodhin pas kësaj reforme parashikohen të përfitohen të paktën 80 milionë dollarë në një mandat 4-vjeçar. Duhet të bëjmë reforma dhe ristrukturime të cilat rrisin efikasitetin e administratës, të institucioneve, por edhe të cilat krijojnë mundësi që shumë të ardhura, të cilat sot keqmenaxhohen apo shpërdorohen në mënyrë jo të domosdoshme dhe jo në funksion të qytetarit, të investohen në një formë tjetër më të dobishme dhe më afatgjatë”, theksoi Meta.Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit u ndal te qëndrimi i opozitës për këtë çështje, që deri tani nuk ka marrë pjesë në komisionin e krijuar për realizimin e reformës.“Opozita në të kaluarën është shprehur për domosdoshmërinë e kësaj reforme, por ajo nuk ka pasur votat. Ne i kemi votat. Por pavarësisht nga kjo, ne duam të arrijmë konsensusin. Kemi krijuar një komision me 16 anëtarë, bipartizan, 8 nga mazhoranca, 8 nga opozita, me dy bashkëkryetarë, që e ka të domosdoshme parimin konsensusit. Ka një angazhim edhe të komunitetit ndërkombëtar konkret, sepse është një reformë e domosdoshme”, deklaroi mes të tjerash Kryetari i Kuvendit.Duke folur në emër të delegacionit, drejtori ekzekutiv i Institutit për Qeverisjen Lokale në Kosovë,Besnik Tahiri ka falënderuar Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe ka vlerësuar kontributin z. Meta për Kosovën.“Më lejoni që në emër të delegacionit gjashtë komunave të Kosovës t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj për kohën. Për personalitete si ju, kjo mund të jetë një ndër ngjarjet në axhendën tuaj, por për një pjesë të delegacionit tonë, kjo është një ngjarje që nuk harrohet për shkak se kemi mundësi që të takojmë Kryetarit e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe njëherësh një politikan që ka dhënë shumë për Kosovën”, tha Tahiri.