Janukoviç shfaqet në Rusi: Do të luftoj deri në fund për Ukrainën
Në daljen e parë publike që pas arratisjes dhe shpalljes në kërkim nga autoritetet ukrainase, Presidenti i përmbysur i Ukrainës, Viktor Yanukovych, deklaroi se e ka ndërmend “që të vazhdojë luftën për të ardhmen e Ukrainës”."Ka ardhur koha për mua të them se e kam ndërmend të vazhdoj luftën për të ardhmen e Ukrainës kundër atyre që bëjnë përpjekje, përmes terrorit dhe frikës, të marrin kontrollin e saj”, ka thënë Yanukovych.Ai po ashtu ka thënë se beson se Ukraina duhet të mbetet e tërë dhe e pandarë. Yanukovych ka thënë se ka qenë i detyruar të lërë Ukrainën për shkak të kërcënimeve direkte për jetën e tij dhe të njerëzve të afërt.Yanukovych i ka quajtur “fashiste” autoritetet e reja të Ukrainës dhe ka thënë se ato përfaqësojnë vetëm një pakicë.Ndërkaq një prokuror zviceran ka nisur hetime penale për pastrim të dyshuar parash nga presidenti i përmbysur i Ukrainës, Viktor Yanukovych, dhe djali i tij, Oleksandr.Prokurori Yves Bertossa dhe policia kanë bastisur një kompani në pronësi të Oleksandr Yanukovychit dhe kanë konfiskuar disa dokumente.Qeveria zvicerane ka njoftuar sot se ka ngrirë asetet për 20 ukrainas, përfshirë Yanukovychin dhe djalin e tij. Po sot, Qeveria austriake ka thënë se ka ngrirë asetet për 18 ukrainas, të dyshuar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për përfshirje në korrupsion.