Atentati ndaj biznesmenit në Vorë, hasmëria pista kryesore e hetimeve
Hasmëria është pista kryesore që ka Prokuroria dhe policia për atentatin e të enjtes në Vorë, ku humbi jeten 39-vjeçari Baki Xhabafti. Policia ka shoqëruar disa persona, të cilët mund të kenë dijeni për konfliktet e mundshme të 39-vjeçarit,pavarësisht se disa prej tyre janë të njohura për policinë.Dyshohet se konfliktet e hershme me familjen Ymeri në Selite të jetë njëra piste, ku hasmëria mes dy fiseve ka sjellë 9 viktima deri tani. Konfliktet e familjes Xhabafti kanë qënë të dukshme edhe me të fortët e Yzberishtit në vitet ‘97-‘98.Por jashtë lupës së hetimeve nuk janë lënë edhe konfliktet e mundshme të viktimës për shkak të biznesit të tij. Baki Xhabafti kishte në zotërim një servis makinash dhe një kompani shit-blerje automjetesh.Sipas hetuesve ai udhëtonte shpesh në Gjermani dhe ky internerar do të shihet me kujdes nga grupi hetimor. Bëhet me dije se Prokuroria ka kërkuar edhe përgjimin e disa personave,kjo në bazë të pistave hetimore tashmë të ngritura.Prokuroria pritet të marrë në pyetje familjarët e 39-vjeçarit,të cilët mbrëmjen e të enjtes nuk kanë pranuar të flasin, kjo për shkak të situatës. Marrja e tyre në pyetje shihet nga grupi hetimor si e rëndësishme, pasi do të sqarojë dyshimet e ngritura nga grupi hetimor.Vendi i ngjarjes gjatë ditës së premte vazhdon të jetë një skenë krimi, ku në orët e para të mengjesit kanë mbërritur edhe ekspertët kriminalistikë. Ai vazhdon të ruhet nga dy policë dhe nuk lejohet askush të shkelë në rrugën që të çon pikërisht në derën e Bashkisë Vorë.