OSBE ndihmon në përmirësimin e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit
Me ndihmën e OSBE-së në Shqipëri, Shoqata Ndërkombëtare e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit i dhuroi Shërbimit Zjarrfikës pajisje me vlerë 500 mijë euro dhe trajnoi 35 zjarrfikës, për dy javë.
Zjarrfikësit u trajnuan jo vetëm për fikjen e zjarrit, por edhe për ndërhyrje në rastet e aksidenteve rrugore, të incidenteve me lëndë kimike të rrezikshme dhe sulmeve terroriste. Pajisjet e dhuruara do të shpërndahen në të tërë vendin, në njësitë e zjarrfikësve që kanë më shumë nevojë për to.
Pasditen e sotme në Durrës u zhvillua një ceremoni, ku u nënshkrua marrëveshja e dhurimit, u dhanë certifikata për kursantët më të mirë dhe u bënë simulime të ndërhyrjes së zjarrfikësve në raste incidentesh të ndryshme.Të pranishëm ishin Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Florian Raunig, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ilirjan Mustafaraj dhe zëvendësambasadori britanik, Stephen Hickling.Në fjalën e tij, ambasadori Raunig tha se OSBE-ja ka një qasje gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale ndaj sigurisë dhe është aktive në mbështetjen e veprimtarive të qeverisjes dhe reformimit të sektorit të sigurisë në Shqipëri.“Është e rëndësishme të mos harrohet se kur njësitë lokale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit iu përgjigjen thirrjeve për ndihmë, roli i tyre mund të jetë shumë i specializuar dhe i kufizuar jo vetëm te lufta ndaj zjarrit. Ata mund të shpëtojnë jetë pas aksidenteve rrugore apo të neutralizojnë në mënyrë të sigurt rrezikun nga derdhja e ndonjë kimikati apo nga ndonjë incident tjetër. Prezenca e OSBE-së mbetet plotësisht e angazhuar për të mbështetur Ministrinë e Punëve të Brendshme në kuadër të zhvillimit të sigurisë publike në Shqipëri.Siguria publike ka rëndësi jetësore për mirëqenien, paqen dhe sigurinë e Shqipërisë, si dhe të rajonit më gjerë. Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e qeverisë për ndryshim gjatë rrugëtimit drejt një shteti më të sigurt,” deklaroi ai.Në vitin 2012, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bëri një vlerësim të Shërbimit të Zjarrfikësve nga pikëpamja legjislative, stukturore, financiare dhe materiale dhe doli me rekomandime për përmirësimin e punës.