Zhbërja e marrëveshjes nga mazhoranca, ribërja e saj nga opozita

Mazhoranca e sotme qeverisëse po dëshmon çdo ditë e më qartë se nuk udhëhiqet nga vetëpërmbajtja në ushtrimin e pushtetit, se po prish marrëveshjen bazë mbi të cilën funksionon sistemi ynë politik, dhe se po e çon e ndërgjegjshme në rrugë të paparashikueshme dinamikën e zhvillimeve politike në vend.Që mazhoranca e sotme e ka të huaj mendësinë e vetëpërmbajtjes e tregon jo vetëm ndjenja dhe sjellja triumfaliste e Ramës, por edhe kërcënimi që ai i bëri opozitës në Parlament që në ditën e parë të tij si Kryeministër. “Nuk keni parë gjë akoma” dhe shprehja e preferuar që ekzalton atë dhe shumë nga të tijtë që e përsërisin për “1 milion shuplaka” ishin vetëm fillimi dhe për fat të keq jo vetëm formë, jo vetëm shprehje. Akti normativ antikushtetues, fushata spastruese në administratë, shkarkimet me një firmë të vetme e të gjithë elitës drejtuese në polici, sikur të ishim në situatën e një grushti shteti, shkatërrimi me tritol i pronës së qytetarit në mënyrë selektive dhe frymëzuar nga urrejtja për kundërshtarin, arroganca në trajtimin e çështjes së armëve kimike janë vetëm disa nga shembujt që tregojnë se Rama vërtet rezultatin e zgjedhjeve e sheh si një licencë për të dhunuar pakicën. Por ai dhe mazhoranca e ekzaltuar, harrojnë se në 23 qershor veç “një milion shuplakave”, u dëshmuan edhe shtatëqind mijë “çoka”, të cilat protesta e datës 20 tregoi se janë shtuar ndjeshëm dhe janë gati të trokasin në vendin e duhur.Nga mungesa e vetëpërmbajtjes vjen arroganca që imponon kodin e heshtjes dhe mungesën e transparencës për vendimet e qeverisë. Nga kjo vjen edhe arroganca e injorimit dhe shpërfilljes ndaj çdo premtimi elektoral që u bë fakt me buxhetin dhe paketën fiskale. Nga mungesa e vetëpërmbajtjes vjen edhe arroganca e vendimeve të çoroditura që një ditë u sulet lojërave të fatit që pastaj i zhbllokon, më vonë u sulet furgonëve dhe nxjerr pa punë njëzet mijë persona. Dhe këto nuk janë dhunë ndaj opozitës politike, por janë dhunë ndaj interesave të qytetarëve. Prandaj duart që kanë marrë formën e “çokës” nuk janë vetëm të opozitarëve, janë edhe të shumë e më shumë qytetarëve.Akti Normativ, i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ishte hapi i parë i zhbërjes së marrëveshjes politike mbi të cilën funksionon sistemi ynë. Jo vetëm se preku një ligj që votohet me 3/5 dhe kjo nuk mund të behet me Akt Normativ të qeverisë, jo vetëm se zhbëri një ligj që sa ishte miratuar me konsensus të arritur me aq mundim mes palëve, po me këtë hap, mazhoranca cenoi në themel frymën e Kushtetutës. Votimi me shumicë të cilësuar 3/5, apo 2/3 nuk është çështje numrash. Ai është një instrument shtrëngues për palët politike që ato të gjejnë mirëkuptimin. Dhe palët politike dihet se cilat janë. Rastësisht mund edhe të bëhen numrat, mund edhe të blihen ato nga njëra palë, por kjo nuk do të thotë se kemi marrëveshjen. Përkundrazi, kjo të çon tek prishja e marrëveshjes politike.Duke u përpjekur të imponojë axhendën e saj me forcën e numrit për të bërë ndryshime të njëanshme të ligjit për shërbimin civil, për të bërë ndarjen e re territoriale, apo dhe ndryshime të tjera të ngjashme, mazhoranca thjesht po zhbën marrëveshjen politike. Në seancën e fundit mazhoranca shkeli edhe formalisht Kushtetutën duke zhbërë dekretin e Presidentit dhe duke marrë funksionet e tij. Shkarkimi i Znj. Xhuka dhe votimi i drejtuesit të ri të ILDKP-së ishte akti më flagrant i arbitraritetit të kësaj mazhorance. Kjo është prova se kjo mazhorancë nuk po ndalet as nga pengesat formale ligjore dhe po synon të diktojë përtej pushtetit që ka.Kjo mazhorancë duket se është e vendosur të zhbëjë marrëveshjen politike. Tërheqja një gjysmë hapi pas me deklarimin se do publikojë më në fund vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Aktit Normativ dhe se do të synojë konsensusin e opozitës për ligjin e shërbimit civil, është vetëm karamelja tinëzare që do t’i shërbehet Fyles javën e ardhshme. Me ikjen e tij do të rifillojë sulmi për ta zhbërë marrëveshjen politike, për të përdorur diktatin e kartonëve të fituar bashkë me ata të blerë.Në këto kushte opozita duhet të marrë vendimet e saj të vështira por të drejta. Opozita duhet të kërkojë me vendosmëri të rikthehet marrëveshja politike, të rikthehet ligjshmëria e shkelur në Parlament. Për këtë duhet të përdorë në mënyrë të vetëpërmbajtur çdo mjet demokratik. Braktisja e seancës si gjest politik dhe si protestë ndaj sjelljes së mazhorancës është më e pakta. Opozita nuk duhet të heqë dorë nga presioni mbi mazhorancën që të ribëhet marrëveshja politike në Kuvend që politika të rikthehet në shinat e veta. Kjo është për të mirën e vendit.Protesta ia dha të qartë mesazhin mazhorancës. Aty u puqën dy axhenda, ajo e opozitës dhe ajo e qytetarit. Nëse mazhoranca nuk reflekton dhe do të vijojë e verbuar nga vullneti për pushtet të pakufizuar, opozitës i mbetet të kërkojë të ribëjë marrëveshje të re politike, por këtë radhë me qytetarin. Qeverisja e çoroditur, ushtrimi i pushtetit nga dy gjysmat e majta në pushtet me mendësinë e dy gjysmë bandave që ndajnë postet, fondet, punësimet njësoj siç ndajnë banditët gjënë, mungesa e vizionit për të patur një përgjigje ndaj krizës ekonomike që po kafshon përditë e më shumë do ta fusin vendin shpejt në dinamika politike të reja të paparashikueshme. Jo vetëm simbolikisht, por numri i duarve me formën e “çokës” do shtohet dhe do ta gjejë lehtë kokën ku do të kërcasin. Zhbërja e marrëveshjes politike në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca është fakt. Mbetet të shihet ribërja e saj. /Burimi: mapo.al/