Thes-buk dhe Facebook

Më kishte shkuar shpesh mendja për të vlerësuar rëndësinë komunikative të një rrjeti social siç është “Facebook” apo të tjera të së njëjtës linjë. Por edhe më shumë këtë ngasje timen e nxiti biseda pak ditë më parë me një 91-vjeçar nga Shkodra. Po më thoshte pa shaka, se komunikon fare mirë me bijtë, fëmijët, nipërit dhe mbesat që janë të shpërndarë anembanë botës që nga SHBA, Australia e Europa. Është gjë shumë e mirë, mendoj, për të gjithë qenien njerëzore që të humbasë sa më pak kohë për të komunikuar me njerëzit e vet, ose jo, në të gjithë globin. Merr vesh si janë e ku janë. 91-vjeçari duke i dhënë rëndësi kësaj dhe duke e përsëritur shpeshherë e thoshte “thes-buk”, e herë “facebook”. Mosha bën të veten, thashë unë. Hija e dyshimit se burri i moshuar nuk po i ngatërronte rastësisht më lindi. Duke qenë se biseda me të më pëlqente, i mbylla rrugën dyshimit.Edhe unë kam një vlerësim maksimal për këtë model komunikimi njerëzor. Duke mos humbur kohë për të rejat e fundit e fiton atë për të bërë edhe një diçka tjetër me jetën tende. Mund të komunikosh, nëse je gazetar, me gazetarë dhe media në të gjithë globin, nëse je mjek me mjek, nëse je koleksionit mund t’i gjesh pasionantët si ti, në të gjithë kontinentin, nëse je sportist mund të shitesh dhe të blihesh në Facebook si gladiatorët, aty gjen menaxherë. Nëse je shofer mund të marrësh orientim për lëvizjet e tua, rrugën, parkingjet, trafikun. Pra ky rrjet dhe të tjera si ky e kanë thesin plot me informacion të qartë dhe të thellë nëse të nevojitet. Janë si buka e përditshme në një kohë shumë moderne të komunikimit dhe të zhvillimit. Politikanët gjithandej hapin dhe mbyllin ditën duke hapur dhe mbyllur thesin e “bukës” së informimit. Thes i cili u rrit e u zgjerua me daljen në dritë të rrjeteve sociale që janë bërë pjesë e përditshmërisë dhe konkurrentë të rrezikshëm të medias e cila e lindi “thesin”. Duke komunikuar në këtë mënyrë, njerëzit humbasin një gjë të rëndësishme, komunikimin e gjallë sy me sy. Por duke e patur të pamundur sy me sy, tashmë ka hapësirë për të bërë një gjë të tillë edhe përballë ekranit të shndritshëm dhe të rrëshqitshëm të një kompjuteri apo telefoni.A humbasim duke komunikuar në këtë mënyrë? Mendoj se jo. A fitojmë duke komunikuar në këtë mënyrë? Fitojmë kohë dhe jemi gjithmonë të freskët për reagime, për biseda. Pra dashur pa dashur “thes –buk” hap tema të ndryshme. Na ka ndodhur me qindra herë se kur kemi mosmarrëveshje për probleme të ndryshme në një tavolinë, kafeje, pune apo shtëpie t’i drejtohemi “thes-buk”-ut tonë që të gjejmë një përgjigje. Sherri edhe mund të shuhet, por duke qenë se secili nga ne ka tashmë “thes-buk”-un e vet, sherri hap pas hapi mund të sjellë të tjera mundësi moskuptimi, pra të keqkuptohemi.Por, a ka kjo një vlerë aq të rëndësishme për njeriun sa ç’ka ruajtja e komunikimit direkt me njëri–tjetrin? A mos shoqëria njerëzore po i kthehet origjinës së largët kur qytetërimet komunikonin me njëra-tjetrën me “yje” me “hënë” apo me “diell”. Mendoj se fitojmë vetëm kohë. Por koha “është flori” dhe nëse e shfrytëzon siç duhet, me punë, ajo të jep atë që e kërkon prej saj. Edhe ky model komunikimi nga qielli vjen, thjesht ka ndërruar teknologjia. Por sa do zgjasë?Shkodrani safi 91-vjeçar e thoshte me shaka por edhe nga dhimbja se “po flasim e shikohena”, por në shpirtin e tij ziente diçka tjetër. Ky takim i shpejtë a ta heq mallin për familjen, apo ta shton atë? Asnjëherë nuk mund të jepet përgjigje për të tjerët. Por mendoj se nganjëherë komunikimi ashtu virtual mund të ketë efektet e kundërta të realitetit që jetojmë dhe shijojmë. Nëse qytetarët do të kishin më shumë lulishte për të biseduar, do të merrnin më shumë ajër të pastër e shumë gjera të tjera pozitive për shëndetin, (kryeministri u tha mos blini naftën, lini makinat në shtëpi, ecni, ecni që të dobësoheni). Njerëzit merren me rrudhat e fytyrës së njëri-tjetrit, i thonë shëndet ose plaç on-line njëri-tjetrit. Kjo të jep një lloj lehtësimi shpirtëror për momentin, por që mund të të lëndojë më shumë pas pak minutash. Njerëzit kanë filluar të merren shumë me problemet e tjetrit. Kjo mënyrë komunikimi, thashethemnaje globale, po i ngushton konturet e një komunikimi paksa më realist dhe më të sinqertë. On-line ne mund të fshehim hallet apo mund t’i shtojmë ato. Me një rrjet si “Facebook” mund të bëjmë protesta por edhe mund t’i sabotojmë ato. Mund të denigrojmë këdo, me emra të rremë e me pseudonime si ato të Sigurimit të Shtetit. Mund të fshijmë lajmet e këqija dhe ato që s’na pëlqejnë duke thënë dhe besuar se nuk kanë ekzistuar kurrë. “Ky stan këtë bylmet ka” dhe nëse nuk e pranojmë, atëherë mund t’i rrime larg. Ka stane plot.Sa do zgjasë? Sa të mbushet “Thes-buk”, njerëzit do ta shikojnë kohën e komunikimit ndryshe, do i përshtaten asaj në mënyrë e në sjellje. Por “Thes-buk” dhe “Facebook” do të jenë në luftë të vazhdueshme. Fitojmë kohë që të komunikojmë dhe të informohemi, por humbasim kohë duke u informuar e duke komunikuar. Ashtu si “thes-buk”-u i plakut 91-vjeçar që mbaron një ditë duke u gatuar në “magje”, ashtu edhe rrjetet sociale, mendoj se do kenë kohën e tyre të ruajtjes, gatimit dhe shpërbërjes.Dikush nga komunikantët on-line më shkruante se agjencitë sekrete të shteteve të ndryshme tashmë kanë të dhëna të plota për të gjithë qytetarët e botës. Nuk i dhashë rëndësi fjalës së tij, por më ngeli në mendje fjala e 91-vjeçarit që, “duhet me ditë me e thanë, e si me e thanë”. /Burimi: mapo.al/