Opozita fiton betejën, tërhiqet Jukanoviç, Ukraina shkon në zgjedhje të parakohshme
Presidenti i Ukrainës thotë se vendi do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme dhe premtoi për të formuar një qeveri koalicioni në përpjekje për t'i dhënë fund një krize të dhunshme politike. Kriza u shkallëzua gjatë ditëve të fundit, duke çuar në gjakderdhje në rrugët e kryeqytetit Kiev.Presidenti i Ukrainës Viktor Janukoviç tha se vendi do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme dhe u zotua të bëjë ndryshime kushtetuese për të pakësuar kompetencat e tij si president. Ai premtoi se do të pranonte në qeveri anëtarë të opozitës, në përpjekje për të zbutur krizën.Njoftimi vjen pas bisedimeve që zgjatën gjithë natën ndërmjet përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës me ndërmjetësimin e ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë.Opozita ka pranuar të nënshkruajë një marrëveshje paraprake me qeverinë.Ndërkohë, sipas njoftimeve, sot u dëgjuan të shtëna pranë Sheshit të Pavarësisë në kryeqytetin Kiev, epiqendra e protestave anti – qeveritare. Qeveria e Ukrainës fajëson për të shtënat protestuesit që luftojnë me policinë, por këto njoftime nuk janë konfirmuar.Në qendër të kryeqytetit protestuesit e mirëpritën lajmin për një fund të mundshëm të krizës."Ne duam të themi se kësaj i duhet dhënë fund. Mjaft më me gjakderdhje. Sa gjak është derdhur deri tani? Vetëm dje, më tepër se 75 vetë kanë humbur jetën," thotë ky protestues.Ukraina kaloi dje ditën më të përgjakshme që nga kohët e Bashkimit Sovjetik. Në pjesën qendrore të Kievit u vranë dhjetëra njerëz nga përleshjet mes forcave të policisë dhe protestuesve antiqeveritarë. Disa njoftime thonë se të vrarët i kalonin të 70 vetët, një pjesë e tyre nga zjarri i snajperëve të qeverisë. Njoftohet gjithashtu për qindra të plagosur.Vitali Kliçko, udhëheqës i partisë së opozitës, Udar, paralajmëroi në parlament se gjendja mund të shkallëzohet deri në luftë civile."Askush nuk e kishte përfytyruar se kjo mund të ndodhte në atdheun tonë, që një ukrainas të vihej kundër një ukrainasi. Pse? Sepse autoritetet po përpiqen t'i venë njerëzit njërin kundër tjetrit," tha zoti Kliçko.Presidenti Janukoviç nuk ka dhënë një afat për ndryshimet kushtetuese që ka premtuar. Gjithashtu, është e paqartë nëse këto lëshime të vonuara do të mjaftojnë për t'i frenuar protestuesit, të cilët mbajnë të zaptuar Sheshin e Pavarësisë.Ndërkohë, pamje filmike të transmetuara nga media vendase tregonin protestues që rrëzonin statuja të udhëheqësit revolucionar rus Vladimir Lenin në pika të ndryshme jashtë kryeqytetit.