Jahjaga i përgjigjet Haradinajt: S'ka zgjedhje të parakohshme
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka kthyer përgjigje kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, lidhur me kërkesën e tij për përshpejtimin e proçesit të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku nënvizon se nuk ka hapësirë për zgjedhje të parakohshme.“Siç e dini, shpallja e mbajtja e zgjedhjeve të rregullta të përgjithshme është e rregulluar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, respektivisht nenit 66 dhe nenit 4 të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërkohë që në rast të nevojës për shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, procesi rregullohet në bazë të neneve 82 dhe 66 të Kushtetutës, dhe nenit 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në përgjigjen që presidentja Jahjaga i dërgoi Haradinajt.Megjithatë Presidentja ka falënderuar kryetarin e AAK-së për letrën e dërguar dhe për vlerësimet rreth situatës dhe zhvillimet politike në vend, të cilën thotë se e ka marrë parasysh dhe shqyrtuar.“Duke ju shprehur konsideratat e larta, ju falenderoj për bashkëpunimin dhe mbes e përkushtuar ndaj përmbushjes së rolit tim kushtetues që bashkarisht të punojmë në funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen dërguar kreut të AAK-së të martën.Ndaj përgjigjes së presidentes Atifete Jahjaga, ka reaguar anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka thënë se presidentja e shtetit nuk po e kupton rolin e saj.Sipas tij nga Presidentja u kërkua veprim, jo interpretim i Kushtetutës.“Letra e Kryetarit Haradinaj drejtuar Presidentes ka pasur për qëllim të nxis veprim politik e jo interpretim Kushtetues nga ana e Presidentes për faktin se Kuvendi i Kosovës është jofuksional për të mbikëqyrur veprimet e Qeverisë e cila realisht nuk e ka shumicën në Kuvend. Mbi këtë bazë po cenohet rëndë funksioni Kushtetues i Kuvendit si mekanizëm mbikëqyrës i ekzekutivit. Nga kjo përgjigje e Presidentes shihet qartë se e njëta nuk është duke e kuptuar rolin e saj Kushtetues dhe detyrat e saja politike përballë obligimeve që i ka ndaj temave me rëndësi për demokracinë sikurse janë zgjedhjet!Është për keqardhje qasja plotësisht formale dhe indiferente ndaj problemeve politike që e kanë kapluar vendin”, ka shkruar Tahiri në një postim në Facebook.