Gjibraltari pranohet në UEFA
Ndërsa UEFA nuk miraton pjesëmarrjen e skuadrave dhe kombëtares kosovare në turnetë e saj, apo edhe vetë anëtarësimin e Kosovës në arenën e futbollit ndërkombëtar, duket se nuk ka problem t'i garantojë këto të drejta kolonisë së vogël të Gjibraltarit.Kjo koloni e vogël britanike që ka një popullsi prej rreth 28 mijë banorësh, dje ka marrë pjesë për herë të parë në shorteun e organizuar nga UEFA për kampionatet e moshave, vetëm dy muaj pasi u pranua si anëtar i përkohshëm i organizatës të futbollit evropian.Gjibraltari përfundoi në një grup me Anglinë, Armeninë dhe Irlandën në fazën e parë të turneu për U-17, ndërsa do të vihet kundër Kroacisë, Çekisë dhe Qipros në edicionin për U-19. Gjatë hedhjes së shortit, ishte parashikuar që Gjibraltari dhe Spanja të mos viheshin bashkë, pasi ky vend e kundërshton ashpër pranimin e kolonisë së vogël nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s.Vendimi për të cilësuar Gjibraltarin si anëtarin e 54-t të UEFA-s, me të drejta të plota, do të diskutohet në Kongresin e Përgjithshëm të kësaj organizate në Londër, në majin e vitit 2013.Çështja e Gjibraltarit është përforcuar nga një vendim i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, e cila bëri të ditur se UEFA ishte e detyruar në bazë të rregulloreve të saj të pranonte aplikimin e kësaj kolonie që vazhdon të mbetet një "mollë sherri" mes Spanjës dhe Anglisë.