Veljanovski cakton zgjedhjet presidenciale, raundi i parë më 13 prill
Kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, caktoi për më 13 prill zgjedhjet e rregullta presidenciale në vend, të 5-at me radhë që nga pavarësimi i Maqedonisë. Veljanovski, në kornizat ligjore duhej të zgjidhte mes datës 6 dhe 13 prill. Zgjodhi 13 prillin me qëllim që raundi i dytë të mos bie në festën e Pashkëve, të cilën besimtarët e krishterë e festojnë më 20 prill.“Sot e nënshkrova vendimin për caktimin e zgjedhjeve për presidentin e Maqedonisë. Dispozita kushtetuese parashikon që zgjedhja e presidentit bëhet në 60 ditshin e fundit të mandatit të presidentit aktual. Duke marr parasysh se më 20 prill është festa e madhe krishtere, duke i respektuar ndjenjat e besimtarëve të krishterë, mbajta llogari që atëherë të mos jetë as raundi i parë e as i dyti, dhe vendosa që zgjedhjet të mbahen më 13 prill”, u shpreh Trajko Veljanovski, Kryetar i Kuvendit.Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Veljanovski shpjegoi se ai do të ishte i obliguar të caktojë zgjedhjet vetëm nëse të paktën 62 deputetë votojnë për shpërndarje të parlamentit. Deri tani asnjë subjekt nuk ka depozituar kërkesë për seancë të tillë të Kuvendit.“Unë si Kryetar i Kuvendit mund të caktoj zgjedhje parlamentare nëse Kuvendi si institucion sjell vendim për vetë-shpërndarje. E dini se për vetë-shpërndarje duhet të votojnë 62 deputetë. Pasi të bëhet kjo unë kam obligim kushtetues të caktoj zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në këtë moment nuk kam informacion se kjo mund të ndodhë”, tha Trajko Veljanovski, Kryetar i Kuvendit.Sipas detyrimeve ligjore, partitë politike parlamentare duhet që brenda 20 ditëve që nga shpallja e zgjedhjeve, pra deri më 21 shkurt, të caktojnë kandidatët e tyre presidencial. Për kandidatët që nuk kanë përkrahjen e partive politike parlamentare, ose dalin në zgjedhje si të pavarur, duhen mbledhur 10 mijë nënshkrime në Komisionin Zgjedhor.Ditëve të fundit spekulohej se bashkë me zgjedhjet presidenciale mund të shpallen edhe zgjedhje parlamentare. Që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 27 prill bashkë me raundin e dytë të presidencialeve, duhet të shpallen më së voni më 26 shkurt.