AMA nis kontrollet, inspektime për respektimin e të drejtave televizive
Autoriteti i Mediave Audiovizive pas miratimit të “Rregullores mbi procedurat e inspektimit të veprimtarisë së ofruesve të shërbimit medatik audioviziv” të miratuar në datën 27 dhjetor 2013, që plotëson kuadrin ligjor dhe nënligjor për monitorimin e veprimtarisë së subjekteve të fushës, ka ndërmarrë një fushatë të gjerë inspektimi pranë subjekteve në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Kontrollet e ushtruara kanë konsistuar veçanërisht në respektimin e të drejtës së transmetimit të programeve nga subjektet audiovizivë, kryesisht kabllore.Bëjmë me dije, se nga ana e AMA-s përgjatë një periudhe 1 mujore janë ushtruar kontrolle në 45 subjekte audiovizivë vendorë dhe kabllorë.Nga kontrollet e ushtruara në terren, nga inspektorët e AMA-s janë identifikuar edhe subjekte kabllorë që ushtronin veprimtari të palicencuar në kundërshtim të plotë me ligjin. Për bllokimin dhe sekuestrimin e pajisjeve të subjekteve të paautorizuara dhe ndërprerjen e veprimtarisë të këtyre subjekteve, AMA do të koordinojë dhe bashkëpunojë edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të vënë para ligjit personat përgjegjës.Gjithashtu, AMA informon se është duke ndjekur procedurat për ekzekutimin e sanksioneve me gjobë, përmes shërbimit përmbarimor. Në dallim nga ligji i vjetër, ligji i ri për mediat audiovizive parashikon që këto sanksione administrative përbëjnë titull ekzekutiv. Deri më tani, nga gjykatat e shkallës së parë janë lëshuar titujt ekzekutivë për 51 sanksione me gjobë me vlerë monetare 122.340.000 lekë.