Prodhimet shqiptare në çdo treg, Panariti: Do kenë përparësi përballë importit

Prodhimi vendas do të ketë përparësi ndaj importit. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, gjatë përurimit të tregtores së re të mishit u shpreh se një pjesë e mirë e këtij tregu do të rezervohet vetëm për mishin vendas. Panariti paralajmëroi se shumë shpejt Ministria që ai drejton do të përqafojë nismën “Prodho shqip, tregto shqip,konsumo shqip”.“Ky është një investim serioz në një merkato që plotëson më së miri gjithë standardet e cilësisë dhe sigurisë të tregtimit të mishit. Ky është dhe kurorëzimi i nismës kurajoze dhe energjike që morëm për të disiplinuar gjithë tregun e therjes dhe tregimit të mishit. Së shpejti këtu do kemi dhe instalimin e frigorifereve dhe pajisjeve të domosdoshme që e bejnë të mundur tregtimin dinjitoz dhe brenda parametrave të cilësisë, atë që kërkon konsumatori shqiptar i cili ka të drejtën të trajtohet me standardet e cilësisë dhe sigurisë sikurse dhe konsumatori europian”tha ai.Tregtorja e re e mishit kushtoi 4.5 milion lekë dhe investimi u financua nga Njësia Bashkiake nr.2. Prezent në këtë përurim kanë qenë edhe prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi dhe kreu i njësisë bashkiake Elez Gjoza.