Rrugët jashtë standardeve të Shqipërisë
Mendësia jonë kolektive se “sot jemi më mirë se dje”, na ka mbajtur zvarrë që progresi ynë në çdo fushë të jetë simbolik. Argumenti do t’i përmbahet vetëm gjendjes së rrugëve automobilistike, për të cilat kam kompetencën profesionale t’i shtjelloj. Shqipëria ka një ligj rrugor, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, i miratuar në vitin 1998, i përmirësuar në fund të vitit 2011, i monitoruar nga ekspertiza ligjore e Komunitetit Europian.Me gjithë ndonjë tepri dhe mbivendosje dispozitash dhe sanksionesh, vetë ligji është në standard, kjo, më shumë të detyruar nga Europa për të hartuar ligje të tilla se nga ndërgjegjësimi se ligjet i kemi për vete.Sipas Kodit Rrugor, rrugët në Shqipëri klasifikohen në gjashtë kategori dhe për secilin grup ka standarde saktësisht të përcaktuara, që do të thotë se, ideimi, projektimi, ndërtimi, përdorimi dhe mirëmbajtja e tyre duhet të bëhet vetëm mbi bazën e standardeve ligjore të miratuara. Për ilustrim po sjellim një pjesë të Nenit 2 të këtij Kodi:PËRCAKTIME DHE KLASIFIKIME RRUGËSH :2. Sipas karakteristikave të tyre konstruktive, teknike dhe funksionale, rrugët klasifikohensi vijon:A. AutostradëB. Rrugë interurbane kryesoreC. Rrugë interurbane dytësoreD. Rrugë urbane kryesoreE. Rrugë urbane dytësoreF. Rrugë lokale 3. Rrugët e ndara sipas pikës 2 duhet të kenë këto karakteristika minimale:A – AUTOSTRADE:- Rrugë interurbane ose urbane me karexhata të pavarura- ose të ndara nga trafikndarës të pakapërcyeshëm, secila me të paktën dy korsi lëvizjeje,- bankinë të shtruar të mundshme në të majtë dhe- korsi emergjence, ose bankinë të shtruar në të djathtë,- pa kryqëzime në nivel,- e pajisur me rrethim dhe- sisteme asistence për përdoruesin gjatë gjithë gjatësisë,- e rezervuar për qarkullimin e disa kategorive mjetesh me motor dhe- e dallueshme me sinjale të veçanta të fillimit dhe mbarimit.- Për qëndrimin duhet të jenë parashikuar zona të caktuara me hyrje e dalje, të pajisura përkatësisht me korsi ngadalësimi dhe shpejtimi.”Siç shihet, autostrada që të quhet e tillë, ka dhjetë karakteristika, Rruga Interurbane Kryesore ka nëntë karakteristika dhe Rruga Urbane Kryesore ka tetë karakteristika.Realiteti është komplet tjetër dhe shihet e preket nga të gjithë. Konkretisht:Rruga e Kombit, ose autostrada Durrës-Kukës-Morinë, është plotësisht jashtë standardit dhe për këtë mjafton ta ballafaqoni me karakteristikat e ligjit që është vetë Standardi. Si rrugë e kategorisë, A, sipas Kodit Rrugor, edhe në 67 kilometrat e saj nga Rrësheni në Kalimash, ku fondet e hedhura janë destinuar për autostradë, ajo nuk e ka plotësuar standardin. Rrugës i mungon gardhi anësor i detyrueshëm, daljet (Exit-et) janë të sajuara, amatoreske, sinjalistika rrugore është e varfër, e paplotësuar dhe në këtë rrugë qarkullojnë që nga lopët dhe dhitë e fshatarëve e deri tek autobusët dhe kamionët e tonazhit të rëndë.Rruga Tiranë – Durrës, sipas Kodit Rrugor, është Rrugë Interurbane Kryesore (B), është në elementët kryesorë të saj, jashtë standardit. Për të qenë e tillë, në standard, i duhen rrugët e shërbimit, dytësore, që me ritmin e ndërtimit mund të përfundojë nga viti 2050.Megjithëse ka trafikndarës të pakapërcyeshëm, për shkak të mbikalimeve e kryqëzimeve, nën e mbi nivel, ajo ndërpritet nga përdoruesit e rrugës në mënyrë arbitrare. Rrugës i mungon korsia e emergjencës, xhepat e ndalimit dhe sinjalistika rrugore që duhej ta shoqëronte këtë rrugë.Në kundërshtim të plotë me Kodin Rrugor, në mënyrë absurde, policia vendos kontrolle statike, në pozicione të caktuara jo sipas ligjit, (në karexhatat e kësaj kategorie rruge është i ndaluar pushimi dhe qëndrimi), dhe kontrollet policore qëndrojnë, jashtë ligjit, në korsitë e përshpejtimit dhe të ngadalësimit. Për këtë vendosje të gabuar të policisë ka patur më shumë se një aksident me vdekje policësh nga automjetet që qarkullojnë.Për mungesë të rrugëve të shërbimit, në këtë rrugë qarkullojnë të gjitha kategoritë e automjeteve, edhe motokarrot kur, me ligj, duhet të qarkullojnë automjete dhe motomjete me cilindratë, (litërfuqi), mbi 250 centimetër kub dhe që realizojnë një shpejtësi mbi 80km/orë.Kur është jashtë standardit rruga që lidh dy qendrat më të mëdha të vendit, është e përfytyrueshme se sa poshtë është standardi i vazhdimit të kësaj rruge në drejtim të jugut e juglindjes. Mjafton të vëreni segmentin, Shkëmbi i Kavajës –Rrogozhinë, ku rruga ka mbi dhjetë segmente që s’arrijnë të bashkohen natyrshëm.Rruga Tiranë- Fushë –Krujë – Shkodër, e klasifikuar si Rrugë Interurbane Dytësore është rruga më standardet më minimale që mund të ketë një rrugë e klasifikuar si e tillë. Rrugët provizore të tipit, “futje nga e majta”, “futje nga e djathta”, pa asnjë kriter, të hapura nga makineri bujqësore, ndërtimi, varreza makinash, e bëjnë tejet të rrezikshme dhe të pasigurt lëvizjen. Ajo është simboli shqiptar i anarkisë së trafikut rrugor dhe e meriton me të drejtë emërtimin, “rruga e vdekjes”.Nuk është më e mirë edhe gjendja e rrugëve qytetëse, qofshin këto kryesore ose dytësore. Ndërprerjet jashtë projektit, mungesa e sinjaleve horizontale, vendosja aty ku nuk duken e sinjalistikës vertikale, e mbi të gjitha, vendosja e semaforëve të papërshtatshëm, jo në pozicionin e duhur si dhe pushimet, qëndrimet në dy e më shumë rreshta, mungesa e rrugëve për biçikleta dhe pushtimi e eliminimi i rrugëve dhe vendkalimeve të këmbësorëve edhe në kryeqytet, i nxjerr këto rrugë automatikisht jashtë standardit.Mjafton të shikosh kryqëzimin e rrugës “Dom Bosko”, për të parë anarkinë e trafikut, bash për mungesë të standardit. Edhe në prani të policit (ku ka semaforë nuk duhet të ketë polic), automjetet kthehen drejtpërdrejt majtas për në unazë nga Stacioni i Trenit, kur me tabelë ato janë të detyruara të kthehen indirekt nga e majta duke përshkuar rrethrrotullimin e “Zogut të Zi”.Kalimi mbi Nivel i Kamzës, që i ka kushtuar shtetit mbi 13 milionë euro, është jashtë standardit dhe përbën një rrezik serioz për qarkullimin, sidomos të kalimtarëve që qarkullojnë në zonat rezidenciale dhe qendrat tregtare që janë me shumicë në afërsi të këtij mbikalimi.Semaforët e papërshtatshëm e kanë nxjerrë jashtë standardit edhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.Vetëm në Shqipërinë tonë bën vaki që, kur në njërin drejtim semaforët kanë “flesh” dritën e verdhë, edhe në drejtimin pingul, në vend që ta kenë dritën e kuqe, “flesh”, kanë përsëri dritën e verdhë.Kjo sjell që automjetet ta kenë të njëvlershme të drejtën e kalimit, të mos i japin përparësi njëri-tjetrit e për rrjedhojë, edhe në këtë rrugë ka patur aksidente më pasoja tepër të rënda në kryqëzimin afër Piramidës.Qeveria e zotit Berisha ka bërë investime kolosale në rrugë dhe për këtë është mburrur përpara qytetarëve të vet dhe përpara Europës, por për fat të keq, nuk rezulton asnjë kilometër rrugë e ndërtuar sipas standardit. Për të qenë shterues në argumentin tim (pa asnjë lloji karshillëku, e kënaqësie për ndonjë zbulim a sensacion), do t’i lutesha kujtdo të më përgënjeshtronte (duke u ballafaquar me Kodin Rrugor). Më gjeni qoftë edhe dy qendra banimi në tërë Shqipërinë, edhe dhjetë kilometra njëra nga tjetra, që të jenë lidhur me një rrugë në standard. Më gjeni qoftë edhe një Bashki të vetme që ta ketë Hyrjen, (aty ku shkruajnë me mburrje “WELCOME”, që të jetë sipas standardit të shkruar në Kodin tonë Rrugor!E pra, kur bëhen projektet e rrugëve dhe kur caktohen fondet, ato janë të llogaritura për rrugë në standard.Nuk më takon mua të investigoj se ku kanë shkuar fondet e destinuara për t’i përfunduar rrugët, por nga pozitat e një inxhinieri, ekspert rrugësh dhe automjetesh, nuk pajtohem dhe refuzoj këdo që ka rendur me gërshërë në dorë për të prerë shirita inaugurimi.Me plot kuptimin e fjalës, rrugët tona të deritashme nuk mund të quhen rrugë, ato janë vetëm karexhata elektorale.Kur ne, si shtet e si shoqëri, nuk jemi të edukuar e të vullnetshëm të respektojmë një projekt teknik për të bërë rrugë me standarde, si mund të plotësojmë standardet e “kamufluara” në lëmie të tjera të Demokracisë dhe Shtetit të së Drejtës?!Me këtë mendësi shtetare dhe shoqërore, dyshoj seriozisht se për një kohë të gjatë, shumë të gjatë, Europa do të vazhdojë të na e përplasë derën përpara hundës./Burimi: mapo.al/