Serbia zgjedhje të parakoshme, Daçiç: Nuk dëmtojnë bisedimet me Kosovën
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka shfaqur shpresën se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të paralajmëruara për tu mbajtur në Serbi nuk do të ngadalësojnë rrugën evropiane të Serbisë dhe as dialogun e Beogradit me Prishtinën.Siç theksohet në njoftimin për mediat të Qeverisë së Serbisë, Daçiç deklaratën e bëri gjatë takimit me ambasadorin amerikan në Beograd, Michael Kirby.Në njoftim paralajmërohet edhe një vizitë zyrtare e Daçiç në SHBA.Ndërkaq Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë dhe lideri i Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiç pritet të propozojë nesër mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.“Nesër do të jetë takimi i presidencës së partisë. Unë propozoj që të vërtetojmë vullnetin e popullit”, ka thënë Vuçiç në kuvendin zgjedhor të partisë në pushtet.“Ka ardhur koha që të japim llogari. Opozita thotë se është më e mirë se ne, ndërsa obligim i yni, si njerëz seriozë, është që të përgjigjemi, të rrezikojmë dhe të largohemi nga pushteti nëse populli thotë”, është shprehur Vuçiç.Delegatët e Partisë Përparimtare Serbe kanë zgjedhur sot sërish Vuçiç kryetar të këtij subjekti.