Jahjaga: Askush mos të pengojë Kosovën drejt BE-së

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në fjalën e saj në Kongresin e 11-të Ndërkombëtar të Vjenës, ndër të tjera foli për synimin dhe rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.Jahjaga, duke folur për arritjen e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të ndërtojnë një partneritet, të bazuar në njohje të dyanshme, si hap përfundimtar drejt integrimit në BE.“Asnjë shtet i cili aspiron integrimin në BE nuk duhet të lejohet që ta pengojë ndonjë shtet tjetër në këtë proces dhe kjo vlen posaçërisht për rastin e Kosovës dhe Serbisë. Për këtë arsye, njohja e dyanshme në mes të dy shteteve, nëpërmes një traktati me bazë ligjore, duhet t’i hapë rrugën për anëtarësim në BE të dyja shteteve”, ka thënë Jahjaga, njofton Presidenca e Kosovës,.Presidentja tha se Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë vendosjen e pengesave në rrugëtimin e shteteve aspiruese, sepse një akt i tillë do të bllokonte zhvillimin e mëtutjeshëm dhe do të krijonte një periudhë të re mospajtimesh në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë edhe një ndalesë tjetër në procesin e progresit të përgjithshëm të këtij rajoni.“Për këtë arsye rrugëtimi ynë drejt BE-së duhet të kushtëzohet me çimentimin e paqes në vendet tona. Ne duam të shohim vazhdimin e dialogut të strukturuar përderisa të ketë nevojë për të, por me një afat kohor të paracaktuar dhe të udhëhequr nga rezultatet. Por, më së shumti duam një dialog i cili do të vazhdonte të lehtësohet nga BE-ja dhe të mbështetet nga SHBA-ja, i cili po ashtu do të garantonte implementimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri tani”, ka thënë Jahjaga në fjalimin e saj.Jahjaga është shprehur se Kosova nuk do të bëjë asnjë hap i cili i cenon sovranitetin dhe integritetin territorial.“Kosova nuk është një vend i cili do ta ndajë sovranitetin e saj me ndonjë shtet tjetër. Po ashtu, nuk është një vend i cili ushqen ambicie territoriale ndaj ndonjë vendi fqinj. Ne synojmë të ndërtojmë një vend gjithëpërfshirës, në të cilin kulturat e ndryshme koekzistojnë, në të cilin punojmë shumë për riforcimin e besimit të lëkundur në mes komuniteteve dhe rithemelimin e lidhjeve komunikuese të cilat ishin shkëputur më herët”, thuhet në këtë njoftim.Ajo ka theksuar se Republika e Kosovës nuk është një projekt interim, por një fakt i përhershëm dhe një realitet i pamohueshëm, dhe integriteti territorial i saj nuk mund të komprometohet. Derisa ka shtuar se Serbia duhet të heqë dorë nga ideja e ndarjes së Kosovës në vija etnike. Duhet të heqë dorë nga kërkesa që Kosova të shkëmbejë një pjesë të territorit të saj dhe duhet të heqë dorë nga ideja e një konflikti të ngrirë.“Askush nuk mund të vendosë në emër të Kosovës përpos qytetarëve të saj dhe përfaqësuesve të saj legjitimë. Askush nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e Kosovës pos tyre. Pamundësia jonë për të ndërtuar këtë gjithëpërfshirje ishte e imponuar nga influenca e vazhdueshme e Serbisë në komunitetin serb në Kosovë, duke komplikuar kuptueshmërinë e realitetit në të cilin gjenden dhe duke bllokuar përfaqësimin e tyre në institucionet e Kosovës. Gjë e cila më sjell tek çështja e sigurisë, si element kyç në zhvillimin e një shteti dhe sigurisht një nga parimet që sigurojnë progres të shoqërisë, duke i bashkuar njerëzit e komuniteteve të ndryshme, përfshirë edhe skeptikët”, ka thënë Jahjaga.