Përkujtohet 70-vjetori i Konferencës së Bujanit
Në ambientet e Akademisë së Shkencave, e organizua sot Sesioni Jubilar kushtuar 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit.Me këtë rast konferencën e përshëndeti dhe Kryetari i Kuvendit , Ilir Meta i cili tha se sot përkujtojmë një nga ato ditë të zjarrta të historisë moderne shqiptare, që përfshin Shqipërinë dhe Kosovën dhe ata gra e burra, komunistë e nacionalistë, atdhetarë e demokratë, përfaqësues të forcave të armatosura dhe të rinj antifashistë, që shënjuan një gur themeli në të nesërmen dhe vizionin për të ardhmen e çështjes shqiptare.Në këtë aktivitet, kanë folur edhe personalitete të tjera të shkencës. Gjeneral Rrahman Parllaku, kryetar i Organizatës së Bashkuar të veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar tha se në Konferencën e Bujanit, u projektua rruga që duhej ndjekur në vazhdimin e Luftës Nacional Shqiptare për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, e cila nuk gjeti zgjidhje deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, por platforma dhe programi i kësaj konference mbetën udhërrëfyes për zgjidhjen e problemit shqiptar në Ballkan.Kryetari i Shoqatës së Veteranë të LANÇ të Kosovës, Vehap Shita vuri në dukje rëndësinë e Kuvendit të Bujanit, i cili ka vënë themelet e shtetësisë së Kosovës, si subjekt konstitutiv i shtetit të lirë dhe të pavarur.Në përfundim të fjalës së tij, Meta u shpreh se Tirana e Prishtina, por edhe Beogradi dhe gjithë hapësira Juglindore e Evropës tentojnë Brukselin si kryeqytet të përbashkët dhe evropianizmin e demokracinë, si vlera gjithashtu të përbashkëta.70 vjet më parë më 31 dhjetor 1943 dhe 1-2 janar 1944 në fshatin Bujanë të Malësisë së Gjakovës është mbajtur konferenca themeluese e Këshillit Nacional Çlirimtar të Kosovës. Kjo konferencë historike dhe rezoluta e saj i njohën Kosovës të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje, dhe shqiptarëve realizimin e dëshirës së tyre shekullore për bashkim me Shqipërinë, me njohje kombëtarë dhe ndërkombëtare.