Viti i Ri kinez, Nishani pritje në Presidencë
Në kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe Zonjës së Parë Odeta Nishani dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Kinës në Tiranë, u festua Viti i Ri Hënor Kinez.Në pritjen e zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit merrnin pjesë krahas Ambasadorit të Republikës Popullore të Kinës, YE Hao edhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, deputetë, sipërmarrës si dhe miq të shumtë kinezë, të cilët jetojnë dhe punojnë në vendin tonë.Ne fjalen e tij te rastit, kreu i shtetit Bujar Nishani vlerësoi simbolikën e kësaj dite, si dhe garantoi një vijimësi të mbarë në marrëdhëniet mes dy vendeve.“Kam kënaqësinë e veçantë, që, në emrin Tim dhe të popullit shqiptar, t’u përcjell urimet më të përzemërta miqve kinezë të pranishëm në këtë ceremoni, popullit mik kinez, në Kinë dhe kudo në botë, me rastin e Vitit të Ri kinez!Uroj për çdo individ dhe familje paqe, mirësi, lumturi dhe mbarësi në këtë Vit dhe në vijim! Viti i Ri kinez, i njohur gjithashtu si Festivali i Pranverës, është një festë që Kinezët duan ta festojnë me familjet e tyre. Dhe ne, ja ku jemi, në këtë familje të madhe të përbashkët, mes miqsh, duke gëzuar së bashku, në shtëpinë shqiptare, që është tradicionalisht shtëpia e mikut. Ky është Viti i Kalit, i cili simbolizon shpejtësi dhe mbarësi. Dy vendet tona, ndonëse me dimensione gjeografike shumë të ndryshme, kanë patur diçka të përbashkët. Gjatë dy dekadave të fundit kanë njohur një transformim dhe zhvillim të shpejtë. Dhe kështu, shpresoj se do të vazhdojnë edhe gjatë këtij Viti dhe më pas.Në gjashtëdhjetë e pesëvjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës, me kënaqësi, konstatojmë se bazuar në lidhjet tradicionale mes popujve tanë, bashkëpunimi mes vendeve tona është i mbarë dhe në rrugën e duhur. Më shumë mbarësi do të shohin lidhja dhe bashkëpunimi mes nesh, falë punës dhe vullnetit tonë të mbarë për t`i çuar sa më shpejt përpara. Planeti ynë është i mbushur plot halle dhe probleme, por ne jemi të gjithë të interesuar për një botë të ndërtuar mbi paqe, harmoni dhe stabilitet. Me punën dhe vendosmërinë tonë të përbashkët, ne mund ta bëjmë një gjë të tillë. Ky Vit, qoftë i lumtur dhe fatlum, gjithashtu, për këdo dhe sjelltë mbarësi për të gjithë njerëzit dhe familjet në çdo cep të globit!”tha Nishani.Ndërsa ambasadori Kinez në Shqipëri Ye Hao, tha se kjo ditë për popullin kinez ka një domethënie të veçantë dhe çmoi vlerësimin për pritjen nga kreu i shtetit shqiptar.Sipas kalendarit kinez 24 janari i viti 2014 me festën e pranverës, shënon edhe nisjen e vitit të kalit, i cili simbolizon shpejtësinë, vijimësinë dhe këmbënguljen.