Për dramën e një sakrifice të nëpërkëmbur

Ndër dramat më të dhimbshme është ajo e sakrificës së çuar dëm në rrethimin e shkaqeve dhe shkaktarëve. Kjo sentencë e shkrimtarit bashkëkohor spanjoll, Havier Cerkas, më kaloi vetiu nëpër mend duke lexuar pak ditë më parë një intervistë të gjatë të Ndre Legisit në gazetën “Panorama”, në të cilën autori kishte folur e shpëtuar shpirtin e tij për aleatët e mashtruar të Partisë Socialiste dhe njëherësh kishte ngritur zërin kundër mospërfshirjes së politikanëve të karrierës në qeverinë “Rama”.Ndre Legisi! Si ta prezantoj tani për lexuesit e këtij shkrimi? Ish-deputet socialist? Ish-ministër socialist? Ish-themelues i LSI-së së Ilir Metës? Ish-koordinator i Opozitës së Bashkuar të Edi Ramës? Të gjitha këto funksione dhe atribute i ka pasur, por kam përshtypjen se emri i tij ka lënë gjurmë në kujtesën e njerëzve me një gjest. Me një gjest politik të madh e shumë të rrallë: me largimin në verën e vitit 2009 nga Lëvizja Socialiste për Integrim, kur kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, vendosi hyrjen në qeverinë “Berisha”. Nuk ishte vetëm Legisi. Ishin edhe tre-katër drejtues të tjerë të lartë të LSI-së, Zabit Brokaj, Pëllumb Xhufi, Fatos Klosi. Të gjithë këta ndaluan dhe u ndanë me partinë e tyre në cakun që për ta, për formimin, historinë dhe skrupujt e tyre, ishte i pakalueshëm. Midis parimit të shëndoshë, sipas të cilit partitë dhe deputetët duhet të sillen ashtu siç votohen dhe benefiteve të pushtetit që po u shikonin sytë nga të katër anët, ata zgjodhën parimin. Duke sakrifikuar me këtë rast gjithë investimin e tyre politik dhe gjithë kohën e harxhuar në shërbim të LSI-së. Ndonjëri prej tyre mund ta kishte problemin thjesht me Sali Berishën. Ndonjë tjetër ishte aq i majtë, sa tmerrohej edhe ta çonte nëpër mend atë lloj aleance me të djathtën. Por kjo nuk ndryshonte ndonjë gjë thelbësore në parimësinë e vendimit të tyre. Secili refuzoi paraprakisht një post të mirë e të sigurt, kurse Legisi, shoku i afërt i Metës, i majtë, por jo fanatik, refuzoi me siguri një post ministri dhe humbi sakaq shokun e vjetër të udhëtimit politik. Atëherë, shumë njerëz në Shqipëri, jo vetëm nga radhët e opozitës, por edhe njerëz me mendje të hapur e të lirë në krahun e qeverisë, panë dhe thanë se arrivizmi dhe pragmatizmi si makutëri nuk e kishin vrarë akoma idealizmin, se kishte akoma njerëz të gatshëm për të sakrifikuar kolltukun dhe përfitimet e pushtetit për idetë e tyre politike, për skrupujt e tyre moralë. Partia Socialiste dhe vetë kryetari i saj, zoti Rama, i pritën me krahëhapur skizmatikët epikë të “partisë tradhtare”, që kishte “trafikuar djathtas tetëdhjetë mijë zemra të majta” – fjala e Ramës. Legisi u riintegrua në strukturën e Partisë Socialiste në rolin e sekretarit për Koalicionet, Brokaj, si më i madh në moshë, u përfshi në “Këshillin e të urtëve”, Xhufi dhe Klosi shiheshin në shumë veprimtari politike të PS-së dhe opozitës dhe debatonin si mbështetës të saj në studiot televizive të vendit. Mendohej dhe besohej se promovimi i tyre politik në Partinë Socialiste do të merrte parasysh jo vetëm kontributin që po jepnin në opozitë, por edhe aktin e tyre të lartë politik dhe moral, që ndërkohë po fitonte vlera të reja në sfondin e përfshirjes së Metës, Priftit dhe mjaft zyrtarëve të tjerë më të vegjël nga LSI në vorbullën e aferave korruptive të panjohura më parë në vend. Në këto kushte, promovimi i aktit të Legisit me shokë ngjante të ishte edhe më i rëndësishëm se promovimi i kontributit të tyre. Partisë më të madhe të opozitës i vlente dhe i shkonte të shërbente si hipotekë e vlerave dhe t’i propozonte publikut një standard të ri të raportit me politikën, ku integriteti i provuar me akte dhe idealizmi si përgjegjësi të gjenin vendin e tyre në bashin e vendit.Por kjo shpresë humbi me paktin e Ramës në fund të legjislaturës me Ilir Metën. Të sakrifikuarit e parë të mëdhenj të marrëveshjes së tyre do të ishin pikërisht të larguarit nga LSI katër vjet më parë. Me këtë pakt, kryetari i vjetër, Meta, sikur ironizonte kotësinë e sakrificës së tyre: “Ç’fituat që ikët nga unë? Asgjë. Unë vendos përsëri”. Kurse kryetari i ri Rama do t’i bënte kurban pa fjalë dhe pa gjeste, thjesht duke i lënë pas dore. Kjo në fakt është një nga ato historitë e dhimbshme politike, që rëndom shtypen nga ruli i rëndë i aktualitetit dhe propagandës së ditës. Por duke qenë se ngërthejnë fatin e idealizmit në politikë, nuk mund të bëhen kurrë të paqena. Dita e tyre vjen me siguri.Duke e parë këtë histori me maksimumin e objektivitetit, unë nuk them se Rama nuk duhej të bënte aleancë me Metën. Përderisa kishte frikë se nuk fitonte dot pa të dhe përderisa kuptimi i tij për politikën nuk është gjë tjetër veçse një ide pushteti, le ta bënte siç e bëri aleancën me “armikun”. Por ai mund t’i mbante dhe t’i promovonte ndërkaq ata të pararojës së LSI-së, që kishin ardhur të parët dhe kishin bërë opozitë që nga dita e parë e legjislaturës. Ky qëndrim parimor dhe burrëror nuk mund të ishte në papajtueshmëri me paktin e tij të ri me Metën. Unë kam dëgjuar deputetë socialistë të pohojnë se Meta ia kishte venë kusht Ramës eliminimin e disa opozitarëve që nuk i kishte qejf, ku përfshiheshin ikanakët e partisë së tij, që tani kishin rezultuar papritur renegatë. Nuk kam besuar se ka pasur vërtet një listë dhe as më ka interesuar të hulumtoj në këtë hollësi. Nganjëherë arsyetimi i mbështetur në produktin konkret të ngjarjeve ka forcë dhe saktësi edhe më të madhe se vetë lajmi. Fakti është se Rama “i dorëzoi” të larguarit për princip nga LSI, që kishin kërkuar “strehim politik” në opozitën e tij. Kjo ishte një gjë e ulët, cinike dhe madje edhe çnjerëzore.Më kot do të rrekej pas kësaj të predikojë dhe flasë për vlera në politikë. Fjala nuk i ngjit pa bërë një mea culpa, përderisa një shembull që ka pasur, e ka djegur. Dhe dihet se shembulli flet më shumë se të gjitha fjalët të marra së bashku. E keqja e madhe në rrafshin politik dhe shoqëror është se me ketë histori të nëpërkëmbjes së një sakrifice, Rama me flotën e tij gjenerojnë orë e çast, vetvetiu, për të gjithë shqiptarët dhe për brezin e ri veçanërisht, mesazhin se sakrifica për parime në politikë është një gomarllëk, se idealizmi është një naivitet, se ka vetëm interesa vetjake, se vetëm nënshtrimi, servilizmi dhe konformizmi shpërblehen. Përballë këtij mesazhi të zi duket sikur prindërve shqiptarë nuk u mbetet veçse t’u predikojnë fëmijëve të tyre “larg, larg, sa më larg nga politika, sepse politika është antiedukative, mizore, e paskrupullt”.Unë do t’u thosha këtyre prindërve atë që vazhdoj t’u them fëmijëve të mi, që e kam lexuar nga Vasllav Haveli në fakt: Politika nuk është e paskrupullt në vetvete, por është e tillë për ata që duan t’i heqin skrupujt asaj.Ja, këto mendova duke lexuar intervistën e Ndre Legisit, të një “ushtari të Salaminës”, siç do të thoshte Havier Cerkas. “Ushtarët e Salaminës e kanë shpëtuar gjithmonë qytetërimin”, pohon me bindje ky shkrimtar./Burimi: panorama.com.al/