Peleshi, Xhaferi: Integrimi europian, garancia më e mirë për prosperitetin e dy vendeve
Zëvendës.kryeministri, Niko Peleshi, priti sot në një takim homologun e tij maqedonas, Musa Xhaferi. Të dy zëvendës.kryeministrat biseduan për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë duke theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë dhe kulturës, por edhe për këmbimin e përvojave në fushën e integrimit europian dhe bashkëpunimit rajonal.Peleshi u shpreh se qeveria shqiptare inkurajon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, pasi vlerëson që faktori shqiptar në Maqedoni, ashtu sikundër pakica maqedonase në Shqipëri, mund, dhe duhet, të jenë faktorë bashkimi, faktorë të intensifikimit e të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.Duke iu referuar potencialit të madh për bashkëpunim që ekziston mes dy vendeve, zëvendëskryeministri shqiptar theksoi se nismat rajonale në fushën e infratrukturës, energjitikës dhe turizmin do të krijonin një sinergji dhe një vlerë të shtuar në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendeve tona.Ai shtoi po ashtu se rruga e integrimit europian është garancia më e mirë për prosperitetin e vendeve tona dhe për ndërtimin e një të ardhmeje me të mirë për të gjithë qytetarët e dy vendeve.Nga ana e tij, Xhaferri e vlerësoi gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin dhe theksoi nevojën për shkëmbimin e përvojës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke shtuar se në disa fusha si integrimi evropian, nxitja e investimeve të huaja, reformat në bujqësi dhe projektet rajonale Maqedonia ka pasur një përvojë të mirë. Ai shprehu dëshirën për një komunikim sa më intensiv dhe konkret midis institucioneve në të gjitha nivelet, çka do të ishte në favor të të dy vendeve.Zëvendëskryeministri Xhaferi zhvilloi po ashtu edhe një takim me Kryeministrin Rama. Në takim u bisedua për zhvillimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe ekonomisë përmes projekteve më interes të ndërsjelltë mes dy vendeve.Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe diskutimeve mbi intensifikimin e komunikimit mes dy qeverive. Kryeministri Edi Rama i shprehu Zëvendëskryeministrit Xhaferi mbështetjen e qeverisë shqiptare për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit si një garanci për zhvillimin e mbarë rajonit.Zëvendëskryeministri Xhaferi vlerësoi interesimin e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me projekte konkrete dhe u shpreh optimist për potencialin e këtij bashkëpunimi në përmirësimin e ekonomisë dhe mirëqenies në të dy vendet.