Senati miraton kandidaturën e Janet Yellen

Senati amerikan ka konfirmuar zonjën Janet Yellen në postin e kryetares se re të Rezervës Federale, duke e bërë atë një nga figurat më të fuqishme në qarqet ekonomike botërore.Konfirmimi i saj në Senat u bë me 56 vota pro dhe 26 kundër. Një shumicë e thjeshtë prej 51 votash, ishte e nevojshme për të konfirmuar emërimin e saj nga Presidenti Barak Obama.Janet Yellen do të jetë gruaja e parë në krye të Rezervës Federale, e cila u krijua 100-vjet më parë. Ajo zëvendëson Ben Bernanke, të cilit në fund të janarit i skadon mandati tetë-vjeçar.Kreu i Rezervës Federale shpesh ka ndikuar në vendimet ekonomike botërore. Ekonomistët parashikojnë se 67-vjeçarja Yellen, aktualisht nënkryetare e Rezervës Federale, do të vazhdojë shumicën e politikave të Bernanke.Ata të dy kanë bërë thirrje për një përfundim gradual të mbështetjes së drejtpërdrejtë të ekonomisë amerikane nga Banka Qëndrore dhe vazhdimin e normave të ulëta të interesit.