Kerry: Mbreti saudit mbështet përpjekjet për paqe
Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, deklaroi se Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite, ka ofruar “mbështetje entuziaste” për Shtetet e Bashkuara për zgjidhje të konfliktit izraelito-palestinez.Këto komente Kerry i bëri mbrëmë pas bisedimeve me Mbretin Abdullah afër kryeqytetit Rijad.“Lartmadhëria e tij jo vetëm që i ka inkurajuar, po i ka mbështetur përpjekjet tona, me shpresë se gjatë ditëve të ardhshme do të kemi sukses” tha Kerry.Ministri i jashtëm i Arabisë Saudite tha se marrëveshja e cila i plotëson aspiratat palestineze “do ta ketë mbështetjen e plotë të Arabisë Saudite”.Gjatë takimit me Mbretin Abdullah, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka folur për bisedimet triditore me liderët izraelitë dhe palestinezë.Në udhëtimin e tij të 10-të në Lindjen e Mesme për arritjen e paqes, Kerry është përpjekur ta krijoj atë që zyrtarët amerikanë e quajnë “kornizë” për udhëzimet për çfarëdo marrëveshje eventuale paqësore.