Integrimi, s`do të ketë datë për hapjen e negociatave për Maqedoninë

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në takimin e Këshillit të punëve të përgjithshme (GAK) që do të mbahet të martën pasdite në Bruksel, do të vendosin nëse Maqedonia do të marrë udhërrëfyesin për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE ose kushte akoma më të rënda në procesin eurointegrues.Sipas mediave në Shkup, në takimin e djeshëm të ambasadorëve të vendeve të BE-së në kuadër të së ashtuquajturit grupi "KOREPER", konstatimet për Maqedoninë kanë qenë të ndryshme, ndërsa vendimi final do të sillet nga shefat e diplomacive që do ta votojnë në Këshillin Evropian në Samitin e 19 dhe 20 dhjetorit.“Kjo çështje do të lihet për këshillin ministror edhe pse në takimin e ambasadorëve në kuadër të grupit KOREPER pati diskutim, por është e qartë se konstatimi u është lënë ministrave të Punëve të Jashtme, të cilët do të vendosin të martën pasdite”, theksoi një burim i lartë anonim i BE-së.Edhe pse dje pas takimeve me ambasadorët e vendeve të BE-së dhe me përfaqësues të lartë të BE-së, zëvendëskryeministri i Maqedonisë për eurointegrime, Fatmir Besimi ka konfirmuar se për Maqedoninë nuk ka konsensus për të marrë datë për negociata inkuadruese.Sipas tij, draft-konstatimi i fundit i negociuar nga KOREPER rekomandon që "Këshilli Evropian të kthehet në rekomandimin për hapjen e negociatave me Maqedoninë në Samitin e radhës në qershor të vitit 2014".Burime të larta të BE-së konfirmojnë se do të ketë ndryshime në këto konstatime dhe se diçka do të plotësohet, diçka është lënë anash, me qëllim që të vihet deri te konstatimi i balancuar dhe i drejtë në lidhje me Maqedoninë.Ajo që është e sigurt se vendi nuk do të marrë datë të negociatave, por është e mundur të jepet udhërrëfyes më i fuqishëm, edhe pse Greqia dhe Bullgaria insistojnë për kushte më të ashpra me qëllim që vendi të ketë progres të shpejtë në rrugën drejt BE-së.Në të njëjtën kohë, në lidhje me Serbinë është pothuajse e sigurt se do të marrë "dritë jeshile" nga Këshilli muajin e ardhshëm dhe zyrtarisht t'i fillojë negociatat inkuadruese për anëtarësim, përmes formimit të konferencës ndërqeveritare me BE-në, ndërsa për Shqipërinë thyhen shigjetat dhe gjithashtu të martën, në takimin e Këshillit të punëve të përgjithshme, do të mësohet nëse do ta marrë statusin e kandidatit.