Zhvlerësimi i borxhit nga S&P, MZHETS: Përgjegjësi e qeverisë Berisha

Qeveria Rama nuk e sheh përgjegjësi të saj uljen e vlerësimit të borxhit për Shqipërinë nga B+ në B nga Standard and Poor’s”. Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes thekson se ky vlerësim reflekton situatën ekonomike të nëntë muajve të parë të vitit 2013, për të cilat ka të dhëna zyrtarisht të konfirmuara.“Trashëgimia e papërgjegjshme e një borxhi tepër të lartë e të rrezikshëm, të dokumentuar apo të fshehur, por tashmë të verifikuar e bërë transparent nga Qeveria aktuale, FMN e institucione të tjera financiare ndërkombëtare, e bëjnë Qeverinë e mëparshme përgjegjëse të drejtpërdrejtë, jo vetëm për këtë zhvlerësim, por edhe për gjendjen e rënduar të buxhetit të shtetit, për gjendjen e vështirë ekonomike dhe financiare të vendit dhe të qytetarëve shqiptarë.”- thuhet në deklaratën e MZHETS-së.MZHETS-ja shprehet se po hartohet bashkë me Fondin Monetar Ndërkombetar, Bankën Botërore e Komisionin Europian një përgjigje e matur dhe e mirë-menduar ndaj krizës së trashëguar, e cila jo vetëm që do të ristabilizojë ekonominë por, do të krijojë të gjitha kushtet për një rritje të qëndrueshme e cilësore të ekonomisë shqiptare në vijim.“Standard and Poor’s” uli vlerësimin e saj për borxhin e Shqipërisë nga B+ në B. Kjo ishte hera e parë që ulet vlerësimin qysh nga viti 2010 kur filluan edhe “nënkontraktimet” e para të agjencive të vlerësimit të riskut për të dhënë notën për vendin tonë.