Drejtësia, bëhet më e “lirë”, Naço: Ulet tarifa e padive, ‘zbritje’ çmimi 37-50 %
Progres Raporti 2013 për Shqipërinë për sistemin gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe reformimi i këtij sistemi ishin disa nga çështjet kryesore që u trajtuan gjatë seancës dëgjimore që Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi sot me Ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço.Në fjalën e tij përpara anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, Naço citoi shkurtimisht disa paragrafë të Progres Raportit 2013 që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor. Në progres raport vlerësohet progresi i bërë për plotësimin e kuadrit ligjor për reformën në sistemin gjyqësor, por vihet re, ndër të tjera, një bashkëpunim i pamjaftueshëm mes institucioneve dhe mungesa në burime njerëzore.Sipas Ministrit të Drejtësisë aktualisht po punohet me strategjinë ndërsektoriale për të kaluar në një strategji të përgjithshme anti-korrupsion, e cila në koncept e konsideron Kryeministrin si një koordinator kombëtar të kësaj strategjie.Naço vuri në dukje se të gjitha drejtoritë dhe sektorët janë konceptuar si pjesëmarrës aktivë në luftën kundër korrupsionit, madje është nxitur edhe bashkëpunimi i vetë qytetarëve që denoncojnë rastet e korrupsionit nëpërmjet portalit online. Sipas Ministrit, rreth 500 denoncime dhe ankesa të korrupsionit nga administrata gjyqësore janë kryer nëpërmjet këtij portali në një muaj.Më tej, Ministri i Drejtësisë u ndal në çështjen e imunitetit të gjyqtarëve, reformimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, reformën në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, si dhe në kuadrin ligjor përkatës.Naço vuri theksin në nevojën për ndryshimin e sistemit të vlerësimit, pasi sipas tij Këshilli i Lartë i Drejtësisë është ende në process vlerësimi të periudhës 2005-2006. Duke shprehur vendosmërinë në ndërmarrjen e këtyre ndryshimeve, Naço deklaroi se nëse KLD nuk do të ketë vullnetin të ndryshojë mentalitetin dhe qasjen në lidhje me këtë çështje, Ministria e Drejtësisë nuk do të hezitojë t’i drejtohet Parlamentit.Më tej, Ministri Naço paralajmëroi reformë të thellë edhe në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias. Sipas z.Naço është papranueshme që në 5 vjet Gjykata e Lartë ka marrë në shqyrtim 5,000 çështje civile dhe penale ndërsa ka numri i vendimeve të dhëna është shumë i ulët. Ndëkrkaq, janë rreth 10,000 çështje të tjera që presin të merren në gjykim nga kjo gjykatë. Ky, sipas Ministrit, është një tregues i qartë që kjo gjykatë duhet t’i nënshtrohet një reformimi të thellë.E gjithë reforma në sistemin gjyqësor do të zbatohet në bashkëpunim dhe me asistencën e Komisionit të Venecias, si e vetmja rrugë për një luftë efikase ndaj korrupsionit në këtë sistem, por njëkohësisht edhe për modernizimin e tij. “Reformimi i sistemit gjyqësor, modernizimi dhe dixhitalizimi i të gjithë sistemit të drejtësisë do të jetë pasaporta jonë drej Bashkimit Europian,” theksoi në fjalën e tij Naço.Në vijim, Ministri i Drejtësisë iu përgjigj pyetjeve të deputetëve që kishin të bënin me ecurinë e hartimit të strategjisë për vitin 2013-2017, me emërimin e krerëve të gjykatave të rretheve, me harmonizimin e kuadrit ligjor dhe kodeve të procedurës civile dhe penale me Kushtetutën, me masat që do të ndërmerren në kuadrin e strategjisë të reformimit të gjyqësorit me qëllim garantimin e pavarësisë dhe panashmërisë së gjyqtarëve, me sistemin e promovimit, etj.