Vodhën 2.8 mln euro, gjykata “arrest me burg” për bankierët
Gjykata e Korçës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për pesë të arrestuarit e dy ditëve më parë, të cilët kanë vjedhur nga depozitat e bizneseve dhe emigrantëve në një bankë të nivelit të dytë në Bilisht të Korçës, 2.8 mln euro.Gjykata ka lënë në burg, Lorent Ballco, 26 vjeç, banues në Korçë, me detyrë bankier personal, Kimet Hoxha, 56 vjeç, banues në Cangonj, Devoll, arkëtar banke, Julian Kosho, 39 vjeç, banues në Korçë, përgjegjës agjencie në bankë, Ervin Xhaci, 32 vjeç, banues në Bilisht, i vetëpunësuar në një “Baste Live”. Ndërkaq pritet të jepet masa e sigurisë edhe për Fjoralba Andrea, 29 vjeçe, banuese në Korçë, arkëtare banke.5 shtetasit u arrestuan në orët e vona të mbrëmjes së të premtes nga Policia e Qarkut Korcë. Të arrestuarit akuzohen se kanë vjedhur nëpërmjet shpërdorimit të detyrës dhe mashtrimit, 2.8 milion euro në një prej filialeve të bankave në këtë qytet.Vjedhja në shumën e rreth 2 milionë e 800 mijë eurove është zbuluar pas një hetimit disamujor të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.Sipas Prokurorisë, në këtë skemë vjedhjeje janë përfshirë disa shtetas, të organizuar nga ish-drejtori i filialit të kësaj anke në Bilisht, Blendi Topalli. Ky i fundit është arrestuar më 2 shtator të këtij viti.