Rama “shmang” shifrat e buxhetit, por para studentëve pranon: Nuk do të jetë aq bujar

Në ditën e më të rëndësishme të tyre, diplomimin, kryeministri Edi Rama, shprehu angazhimin para studentëve për ti dhënë fund blerjes së një vendi pune me para. Rama ftoi studentët e sapodiplomuar të Fakultetit Ekonomik të angazhohen për ta bërë Shqipërinë një vend ku profesionisti është më i rëndësishëm se Kryeministri."Ne do bëjmë çmos që realiteti i marrjes në punë me lekë dhe jo sipas meritës të ndryshojë një orë e më parë. Unë jam i bindur që shumë nga ju të kenë një vend në sektorin publik falë dijes dhe meritës së tyre. Sfida për të gjeneruar vende të reja pune përtej fenomenti të së shkuarës është më e vështirë se kaq. Ekonomia është në një nga momentet më të vështira për arsye jo ato të viteve më parë, por njësoj si vite më parë na duhet të bëjmë një kapërcim të ri. Dita e diplomimit tuaj është diçka shumë e mirë për vendin. Sikurse është ogur i mirë për vendin, sepse ndër ju ka jo pak që mbarojnë me rezultate të shkëlqyera edhe me medalje ari dhe atyre dua t’u përulem me shumë respekt. Ndryshimi që duhet të presim në përballje me këtë sfidë nuk është rezultat, por proces. Duke bashkërenduar forcat, që të kalojmë nga një fazë fëminore e ekonomisë, në një fazë ku ekonomia është prodhuese, shteti është i përgjegjshëm, shoqëria është solidare brenda vetes, por dhe me brezat që vijnë. Për një vend është shumë më i rëndësishëm profesionisti se kryeministri. Që vendi të shkojë në rrugën e duhur nuk mjafton të ketë një kryeministër, por duhet të ketë profesionistin më të rëndësishëm se kryeministri. Ju uroj çdo të mirë megjithë zemër në emër të gjithë mundit që keni bërë, në emrin e gjithë atyre që janë atje lart, prindërve tuaj, që kanë bërë gjithçka që ju të jeni sot këtu. Ejani ta bëjmë së bashku Shqipërinë një vend ku të jetë më i rëndësishëm profesionisti se kryeministri!"tha Rama.Gjatë fjalës së tij Rama u ndal tek momenti i vështirë që po kalon ekonomia e vendit dhe mundësia për të kapërcyer krizën duke përfituar nga vetë kriza. Lidhur me borxhin publik, Rama tha se pavarësisht se nuk është krijuar sot, qeveria e tij është e vendosur që ta trajtojë me gjithë përgjegjësinë që imponon e ardhmja."Çdo krizë është edhe një mundësi. Në çdo krizë ka gjithmonë edhe një rrugë tjetër përveç thellimit të krizës, ajo e kapërcimit të krizës, duke përfituar nga vetë kriza. Kjo është sifda jonë dhe jam i bindur, që në kapërcimin e kësaj krize ju jeni një vlerë e shtuar dhe aset i çmuar. Nëse të marrurit me politikë për ditë nuk të mban çdo ditë të freskët dhe të gatshëm për të folur në raste kaq të veçenta si ky, u mundova të pyes dy-tri njerëz që të thosha diçka të veçantë për ju. Dikush më tha të thoja fjalët e një profesori të Harvardit, i cili është edhe miku im: përballë krizave ka sfida teknike dhe sfida adaptive. Problemet që mund t'i zgjidhim përmes dijeve të ekspertëve janë sfida teknike. Probleme që duan më shumë se ekspertiza teknike, adaptive. Kjo është qasje ndriçuese, sepse momenti na përball me sfidë adaptive, që t’i përgjigjemi disa pyetjeve thelbësore mbi ekonominë, llojin e sipërmarrjes, çfarë presim nga shteti, mbi kulturën e punës, e parbashkëta, nga ku secili kërkon të përveçmen. Ne sot jemi shumë të vendosur ta trajtojmë me gjithë përgjegjësinë që na ngarkon e ardhmja. Kriza e borxhit hyn tek sfidat adaptive, nuk është thjesht teknike, aq sa na imponon krijimin e një raporti të ri mes të tashmes dhe të ardhmes, se çdo borxh është mënyrë se si huazojmë nga e ardhmja për të tashmen, duke i lënë të ardhmes një faturë që e tashmja e ka të vështirë ta përballojë" deklaroi Kryeministri Rama.Modeli që na duhet, vijoi më tej ai, është ekonomia dhe arsimi. Sipas kryeministrit Rama, çlirimi i burimeve njerëzore është rruga e një Shqipërie me punësim të lartë."Ky moment kërkon sakrifica. Buxheti i vitit tjetër nuk do jetë shumë bujar në kuptimin teknik, por duhet të jetë një moment, mjet për të ndryshuar modelin ekonomik dhe financiar, por për të filluar përballjen me një sfidë adaptive. Për sa i përket modelit që na duhet, më lejoni të them dy gjëra që kanë lidhje me arsimin dhe ekonominë. Është e padyshimtë se arsimimi i brezit të ri është politika më e mirë e zhvillimit ekonomik. Ne duhet dhe do bëjmë çmos mos i largojmë sytë nga kjo politikë e zhvillimit, që i flet të ardhmes, pavarësisht se duhet të merremi me shtrëngesat që e shkuara i imponon të tashmes. Çlirimi i burimeve njerëzore, element kyç i një modeli ekonomik që garanton impakt social. Model që krijon hapësira të reja. Kjo është rruga e një Shqipërie me punësim të lartë. Sfidë adaptive e llojit të veçantë, që duhet ta çojmë përpara së bashku, duke e menaxhuar krizën jo si fatkeqësi që na ka rënë kokë, por si mundësi për të nxjerrë nga vetja më të mirën, për të bërë atë që veçanërisht për brezin tuaj është e domosdoshme; krijimin e mundësisë për të jetuar me dinjitet përmes një pune të ndershme", theksoi Rama.