“Rrjedha e Jugut”, BE i kërkon Shkupit anulimin e marrëveshjes me Rusinë për gazësjellësin

Bashkësia Energjetike Evropiane ka kërkuar nga Maqedonia që të anulojë apo të revidojë marrëveshjen me Rusinë për gazsjellësin rus “Rrjedha e Jugut”.Janez Kopaç, drejtor i Sekretariatit të Bashkësisë Energjetike Evropiane ka theksuar për portalin telegraf.mk se tashmë i ka dërguar dy letra në adresë të Qeverisë së Maqedonisë lidhur me marrëveshjen ndërshtetërore midis Rusisë dhe Maqedonisë për gazsjellësin “Rrjedha e jugut”.“Vlerësimi i sekretariatit të BEE-së është se marrëveshja ndërshtetërore midis Maqedonisë dhe Federatës Ruse lidhur me gazsjellësin nuk është në përputhje me rregullat e Marrëveshjes për Bashkësinë Energjetikë në pjesën e shpërndarjes së harxhimeve, qasjen e palëve të treta dhe precizimin e tarifave”, ka theksuar Kopaç në një deklaratë me shkrim.Ai ka thënë se Maqedonia si anëtare e BEE-së duhet të respektojë marrëveshjen dhe duhet të revidojë marrëveshjen e ratifikuar ndërkombëtare, pa bërë shtyrjen e mëtejshme. “Nëse nuk e bën këtë vetë, fillimisht do t`i bëhet thirrje përmes një letre, dhe në rast se nuk do të ketë përgjigje, atëherë rrezikon që të përballet me hapjen e një rasti për zgjidhjen e kontesteve, pasi që anëtarësimi në BE implikon anulimin e të gjitha marrëveshjeve që janë të arritura nga ana e një shteti kandidat. Pasi këto marrëveshje janë jokompatibile me detyrimet që dalin nga anëtarësimi në BE. Andaj, Maqedonia duhet që patjetër të tërhiqet nga marrëveshja me Federatën Ruse për gazsjellësin “Rrjedha e Jugut”, theksoi Kopaç.Komisioni Evropian kohë më parë kërkoi nga të gjitha vendet që kanë arritur marrëveshje me gazsjellësin rus “Gazprom” duhet t`i harmonizojnë këto marrëveshje me ligjet e Bashkimit Evropian. Ky rekomandim obligon që të njejtën gjë ta bëjnë edhe Serbia e Maqedonia, si anëtare të Bashkësisë Energjetike Evropiane. Por, nga ana tjetër, “Gaz Prom” dhe Moska kundërshtojnë kërkesat e BE-së. Një nga drejtorët e “Gazprom”, Aleksandar Medvedev deklaroi në Parlamentin Evropian se nuk mund asgjë që të pengojë ndërtimin e gazsjellësit “Rrjedha e Jugut”. Ky gazsjellësit duhet të çojë gazin rus përmes Detit të Zi në Ballkan dhe më pas në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, realizimi i projektit ka një vlerë prej 16 miliardë euro, ndërsa dërgesat e para të gazit janë planifikuar për në vitin 2016.