Jonathan Moore vijon axhendën e takimeve në Tiranë
Drejtori për Europën Qëndrore dhe jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.Takimin e parë Moore e ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati ndërsa më pas është takuar me Presidentin Bujar Nishani dhe me kryeministrin Edi Rama.Takimi mes zyrtarit të lartë amerikan dhe ministrit Bushati u përqëndrua në rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik në të gjitha aspektet e politikës së jashtme.Ministri i Jashtëm Bushati vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve dhe theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit si në planin dypalësh ashtu dhe në atë rajonal.Bashkëbiseduesit shprehën angazhimin e përbashkët për të çuar më tej bashkëpunimin e frutshëm në drejtim të zbatimit të projekteve dhe programeve të fokusuara në forcimin e shtetit ligjor, institucioneve demokratike, si dhe luftës kundër korrupsionit.Moore përgëzoi masat konkrete të ndërmara nga ana e qeverisë gjatë vitit të fundit, në një klimë politike gjithëpërfshirëse, siç u evidentua në rekomandimin pozitiv të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat.Gjithashtu zyrtari i lartë amerikan do takohet edhe me kreun e Kuvendit Ilir Meta në orën 16:30 dhe në orën 17:30 me kryetarin e opozitës Lulzim Basha.Kjo është vizita e parë e zyrtarit të DASH-i në Tiranë pas krijimit të qeverisë së re “Rama”.Gjatë takimeve Moore do të shoqërohet edhe nga ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, Zëvendës Shefi i Misionit, Henry Jardine dhe John Cockrell.