Pse po luan kaq keq PDK?

A mund ta imagjinoni Bayern Munchenin në pjesën e fundit të tabelës, duke u përpëlitur me rënie nga liga? Këtë sezon berat buzhalaështë fjala, duke pasur portier Neuerin, sulmues Riberyin e Robenin, në mesfushë korpulentin Bastian e Thiagon. E kështu me radhë. Sigurisht që as nuk do t’u shkonte mendja për një fatkeqësi të tillë për këtë tornado sportistësh. Mirëpo unë mendoj se një gjë e tillë është e mundur.Qe një skenar: Neuer në sulm, Ribery në portë. A ka nevojë edhe për detaje të tjera…? Ka të tillë që edhe më tutje po djersitën për të arsyetuar rezultatin e dobët të Partisë Demokratike të Kosovës në këto zgjedhje, duke u marrë më shumë me statistika sesa me efekte praktike zgjedhore. Realiteti është pak më brutal: PDK aktualisht ka të drejtë ta menaxhojë një qytet të madh, Prizrenin dhe disa qyteza.Ndërsa vetëm pak ditë më parë i kishte nën kontroll pjesën më të madhe të qyteteve të mëdha, e edhe qytezave. Kurse, nëse ndërkohë nuk ndryshon diçka shumë e madhe, që në zgjedhjet e ardhshme PDK do ta ketë të pamundur që edhe në lëminë dinake të statistikave të gjejë diçka ngushëlluese për vete. Do të duhet të kënaqet vetëm me shfletimin e arkivave dhe të historisë, se si para disa kohësh kanë qenë parti e madhe dhe e çmuar në vend. Nuk janë të rralla rastet në historitë e shteteve që një subjekt ka ekzistuar dhe ka lulëzuar para disa dekadave, por më kalimin e kohës i ka rënë shkëlqimi dhe ka shërbyer vetëm për t’u studiuar në libra universitare. Por, a është ky rasti i Partisë Demokratike të Kosovës? Unë mendoj që jo.PDK thjesht është duke e ngatërruar formacionin. Është duke i ndërruar rolet. Dhe pa mëdyshje këtu pjesa më e madhe e përgjegjësisë i adresohet selektorit, Kryetarit dhe Kryeministrit Hashim Thaçi. Është ai i cili do të duhej të punonte me grafike se kush, ku do të japë kontributin e tij. Gjithmonë nëse edhe më tutje e konsideron vetën Shef dhe lider historik dhe aktual i Partisë më të madhe në vend, me premisa reale për të qenë shpejt partia e dytë e kështu me radhë.PDK kishte filluar mbarë pas humbjes në vitin 2004, duke e zgjeruar subjektin me gjak të ri, që jo domosdoshmërisht sjell edhe vota. Por problemi është se prurjet e vitit 2004 e tutje kanë filluar të plaken, pa u trajtuar asnjëherë si partner senior në parti. PDK edhe më tutje është partia e vetme në vend që mund të të caktojë ministër, a kryetar komune, a zëvendësministër, a deputet, e prapë janë disa forca të tjera të padukshme – herë-herë pa kurrfarë pushteti real – që sundojnë në dikastere të caktuara.Dhe me gjasë këtë lojë më në fund e ka diktuar publiku. Rasti më eklatant është ai i Ferizajit këtë herë. Atje edhe Agim Aliu e edhe Ilmi Recica janë një forcë tepër e nevojshme për subjektin. Të dy, për këtë jam i bindur, që veç e veç do ta fitonin garën për kryetar të Ferizajit. Por jo në formën se si e luajtën lojën. Qytetarët në hutim e sipër nëse vota për Agimin nënkuptonte zgjedhje të Ilmiut, e vendosën ta votojnë kandidatin e LDK-së, prapa të cilit nuk qëndronte askush tjetër. A nuk ishte ngjashëm edhe në Mitrovicë? Edhe zogjtë në male e kanë ditur se vota për Avni Kastratin ishte vota për një kukull të bukur dhe elegante. Por vetëm kaq.Nëse e votoje Avniun e zgjedhje Bajram Rexhepin, Kadri Veselin, Bekim Haxhiun – Kamishin etj., etj., e ndoshta krejt në fund një troh hise do t’i ngelte edhe Avni Kastratit dhe rrethit të tij. Përpara kësaj gjullurdie votuesi zgjodhi ta votojë Agim Bahtirin, që po luftonte i vetëm si luan. Sigurisht që Bahtiri do ta kishte shumë të vështirë të garonte sikur ta kishte kundërkandidat ose Veselin, ose Rexhepin, ose këdo tjetër që do të kërkonte votën për t’u bërë kryetar. Pra, janë këto disa dromca mjaft domethënëse se përse PDK do të vazhdojë të ndëshkohet nëse diçka urgjente nuk ndryshon. Thënë ndryshe, nëse Blerand Stavileci është ministër, ai duhet të jetë përnjëmend ministër. E jo që ai të kontrollohet prej prapa skenave.Mandej sigurisht, pjesë të madhe të përgjegjësisë në këtë ndëshkim ka edhe ekspozimi i panevojshëm – e sidomos i pamëshirshëm – i Adem Grabovcit përpara ekraneve televizive – çdo natë. Grabovci mund ta rrisë PDK-në në Pejë për disa qindra vota, por do të jetë shkaktar për rrjedhje të disa qindra votave të tjera në secilën prej komunave. Ai duhet ta dijë, e edhe shefat e tij duhet ta dinë se çfarë roli në partinë tonë politike do të ketë Grabovci? Ku saktësisht do të luajë ai? Në sulm; në mesfushë; në mbrojtje; në portë; rezervë, a kushedi se çka tjetër?Apo çdo kund? PDK duhet ta dijë nëse ministrat i ka ministra, apo i ka këngëtarë? Nëse janë ministra të partisë, a ministra të subjekteve ekonomike të dyshimta? PDK duhet ta dijë se për disa qindra vota më shumë në Pejë e në Gjakovë nuk guxon që gjysmën e kryesisë së Partisë ta udhëheqin politikanët e kësaj krahine. Ata mund të janë të zhdërvjelltë në biznes e financa – kryesisht për interesa personale – por jo edhe për interesa shtetërore.Në tri vitet e fundit PDK, përveç këtyre arsyeve të lartpërmendura, ka lënguar shumë edhe në koncentrimin e fuqisë – jo vetëm muskulore – por edhe intelektuale tek individë që me librin – atë të duhurin – jo vetëm që janë përshëndetur moti, por me gjasë as që janë takuar ndonjëherë. Kurse forca intelektuale e PDK-së kryesisht është përdorur për t’i argëtuar jointelektualët e partisë. Mirëpo, e rëndësishme është që edhe më tutje të dyja palët janë nën një kulm, ndonëse me role tërësisht të ngatërruara. Javë më parë pata shkruar në këtë gazetë për Kadri Veselin.Në mes të tjerash kam thënë se ‘deri më tash’ sjelljet e tij politike janë ato të një mediokri. Dhe kjo po besoj që u dëshmua. Sigurisht edhe Veseli e ka marrë leksionin e duhur. Së paku është bindur se ai nuk është ‘gjysmë perëndi’ e ‘gjysmë njeri’. Për këtë tregoi Mitrovica. E hidhur, por jam i bindur që Veseli do të dijë ta tejkalojë këtë situatë, por jo duke kërkuar fajtorë të tjerë përpos vetës së tij dhe shefit të tij. Edhe njëmend, ai duhet ta bindë vetën se Hashim Thaçin e ka shef. Vetëm kur të bindët për këtë do të ketë mundësi që në perspektivë edhe ta zëvendësojë atë, zëvendës i të cilit është. Ah zëvendës! Pra, gjërat janë të thjeshta. Kur shkruhen.Por tepër të komplikuara për të implementuar. Sidomos kur në lojë ke lojtarë të tillë me sedër të tillë. Duhen shumë punë për t’u bërë. Duhen rrënuar pa u menduar dy herë kështjella të tilla familjare – si bujajt ta zëmë – për t’u ndërtuar të tjera – ndoshta më të vogla – por shumë më të shëndosha. Kam shkruar edhe më herët se elektorati në Kosovë nuk është duke shkuar prapa, por është duke shkuar përpara. Prandaj, me gjithë barrën e rëndë të Vetëvendosjes në shpinë, zgjedhjet në Prishtinë i fitoi Shpend Ahmeti. Prandaj, pamë aq shumë të rinj në festën e LVV-së në Prishtinë.Ndoshta naiv, por kjo ka pak peshë. Thënë ndryshe, këto gjëra nuk mund të sistemohen me një të rënë të lapsit. Pra, nuk është kjo një punë e Thaçit dhe e Veselit që të ulen në një darkë me pesë a me gjashtë korsi e me ca shishe verë ku do t’i diskutonin dhe do t’i zgjidhnin të gjitha punët e kësaj bote, dhe ca të tjera. Kjo është një punë shumë më serioze. Që ta godasim gozhdën mu në kokë, atëherë duhet të themi hapur se kjo është punë kongresi. I këtij të kaluarit. Dikush duhet të marrë kurajë e të thotë se ai kongres ishte i dështuar.Nuk po them unë, por po thonë votuesit. Në atë kongres u formua ekipi. Dhe ai ekip luajti dobët. Pak ka gjasa që i njëjti do të përmirësohet. Nëse është kështu, atëherë nuk duhet të humbet shumë kohë dhe duhet të mendohet për dalje nga kriza. PDK ka ekip të mirë, por që pothuajse askush nuk është duke luajtur në vendin e tij. Me një kongres të ri e të shëndoshë gjasat janë që PDK të humbasë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme shumicën parlamentare, por të shkojë në opozitë si një forcë e organizuar. Pa të, gjasat janë që PDK ta humbasë edhe shumicën, e edhe seriozitetin.Burimi: mapo.al