Akuza për korrupsion, KLD shkarkon nga detyra Kreun e gjykatës së Pukës

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi pasditen e së martës një mbledhje të jashtëzakonshme me rend dite shqyrtimin e kërkesës së Zëvendëskryetarit për shkarkimin nga detyra e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Pukë të Zotit Shtjefën Lleshi. Pas diskutimeve, anëtarët e Këshillit vendosën me shumicë votash lirimin e gjyqtarit Shtjefën Lleshi nga detyra e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë.Këshilli, vendosi transferimin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë dhe njëkohësisht delegimin e përkohshëm në detyrën e kryetarit të kësaj Gjykate, të Bib Ndreca, deri sot gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë. Të gjithë anëtarët e Këshillit shprehën konsiderata të larta për integritetin profesional dhe moral të z. Ndreca, i cili vjen nga Shkolla e Magjistraturës.Në mënyrë unanime Këshilli vendosi që Inspektorati i KLD-së dhe i Ministrisë së Drejtësisë të ndërmarrin një verifikim të veprimtarisë së gjyqtarit të Rrethit Gjyqësor Pukë, Z. Shtjefën Lleshi, gjetjet e të cilit do t'i bëhen me dije Këshillit në një afat sa më të shpejtë.Në fillim të mbledhjes, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dënoi ashpër ngjarjen e publikuar nga mediat në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë. Në mesazhin e tij për anëtarët e KLD-së dhe trupën gjyqësore, Presidenti Nishani tha:"Përmes angazhimit të medias u bë prezent një akt korruptiv, një akt i dyshuar si një bashkëpunim korruptiv i elementëve të caktuar të Prokurorisë dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë. Ky akt prezanton anën më të errët për një prokuror dhe një gjyqtar në sistemin e drejtësisë. Ngjarja e ndodhur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë meriton pa diskutim një hetim penal, paralelisht me hetimin administrativ. Dëshiroj të kërkoj tërë seriozitetin e nevojshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të orientuar edhe punën e tij inspektuese në tërësi dhe në rastet e veçanta në gjykatat e vëndit. Në një moment po aq të rëndësishëm dhe aq shqetësues sa akti i paraqitur në media, për aq sa jemi njohur deri në këto momente, është edhe agresiviteti i një sulmi politik ndaj sistemit gjyqësor. Me keqardhje e konstatoj dhe e reflektoj si një shqetësim për demokracinë e vendit sulmin e politikës ndaj komunitetit të gjyqtarëve dhe në veçanti të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Zotit Xhezair Zaganjori, që është një nga gjyqtarët më me integritet në Republikën e Shqipërisë. Si mund të akuzohet Kryetari i Gjykatës së Lartë për një çështje që nuk është pranuar si rekurs në Gjykatën e Lartë, kur ai nuk as është pjesë formale e trupës penale të Gjykatës së Lartë, dhe që asnjë gjyqtar i Gjykatës së lartë nuk e ka gjykuar këtë çështje?! A është e drejtë si një rast apo 10, apo 20 raste që mund të jenë të korruptuar në sistemin gjyqësor, të përdoren nga politika për të sulmuar sistemin e drejtësisë e në veçanti gjyqësorin? Përveçse synimin për të dekurajuar, nuk ka asnjë qëllim tjetër kur të sulmon politika, e cilado krahu qoftë, në sulmet që vijnë drejt dy institucioneve themelore të sistemit tonë gjyqësor, sulmet që vijnë ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Gjykatës së Lartë.".Gjithashtu Presidenti Nishani, shprehu mbështetjen e tij për të gjithë trupën gjyqësore dhe kërkoi nga të gjithë institucionet në vend të jenë në unison në luftën pa kompromis kundër korrupsionit."Në dyshimin tim të bazuar dhe shqetësues, sulmi i politikës ndaj KLD-së ka si synim të tulasë dhe nënshtrojë Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Apelit, përmes shantazhimit, intimidimit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë....... Unë dua të garantoj se Presidenti i Republikës dhe KLD do të jenë shumë të angazhuar përkrah qeverisë dhe të gjitha institucioneve në luftën kundër korrupsionit, sepse nuk ka asnjë synim tjetër nga çdo anëtar i KLD-së dhe çdo institucion i këtij vendi përveçse t'i shërbejë atdheut. Unë do kërkoja të vijonit të qëndronit konstant, të japim mesazh në radhë të parë personave të korruptuar në sistemin gjyqësor, me qëndrime aspak tolerante ndaj tyre, por gjithashtu të ruajmë pjesën e shëndoshë të sistemit nga inflamacionet politike. Unë kam besuar dhe besoj se pa mohuar mundësinë e penalizmit apo dënimit administrativ të rasteve të identifikuara të shkeljes së ligjit apo paaftësisë, prioritet i duhet dhënë adresimit të procedurave që e bëjnë gjithmonë e më të pamundur korrupsionin. Gjyqësori ka probleme dhe nëse mund t'i rendisësh, një arritje pozitive në këto dhjetë vitet e fundit, sistemi gjyqësor ka një arritje të shkëputjes të dalëngadaltë nga sistemi politik. Unë dua të garantoj se do jem një zë shumë i fortë i pakurbuar për asnjë çmim ndaj tentativës për ta vendosur nën thudrën e politikës sistemin gjyqësor. Pa diskutim që duhet ngritur zëri fort, shumë fort, për rastet e korrupsionit, duhen denoncuar me emër dhe mbiemër ata që e mbartin këtë punë, duhet hetuar dhe çuar deri në fund dhe duhet të qëndrojmë në një barrikadë.....Besoj fort që rezultati dhe suksesi vjen, jo duke i rënë njëri çekiçit dhe tjetri patkoit, por duke u bërë bashkë me një qëllim në interes të vendit dhe jo në interes të individit, jo interesit të politikës, këtu nuk ka kompromis për asnjë çmim".